Please enter at least 3 characters.

Gheorghe Hagi, emërohet përzgjedhës i Rumanisë

Ish-futbollisti legjendar rumun, Gheorghe Hagi, është emëruar të hënën përzgjedhës i ri i Kombëtares së Rumanisë, duke e pasuar të ndjerin Mircea Lucescun, i cili e mbante këtë post që nga viti 2024. Hagi ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.

Kjo do të jetë hera e dytë që 61-vjeçari merr drejtimin e përfaqësueses rumune. Si lojtar, Hagi ka zhvilluar 124 ndeshje me Rumaninë dhe ka shënuar 35 gola.

Ai u emërua trajner i kombëtares për herë të parë në vitin 2001, menjëherë pas përfundimit të karrierës, por atëherë e drejtoi ekipin vetëm në katër ndeshje, përpara se në vitin 2003 të merrte drejtimin e klubit turk Bursaspor.

Suksese me Viitorul dhe Farul

Në karrierën e tij si trajner, Hagi ka punuar në Turqi dhe Rumani. Ai u shpall kampion i Rumanisë me Viitorul (2017) dhe Farul (2023) – klube nga Konstanca, qyteti ku nisi rrugëtimin e tij futbollistik.

Me Viitorul fitoi edhe Kupën e Rumanisë (2019). Në Turqi, Hagi e ka drejtuar Galatasarayn në dy mandate, ndërsa me gjigantin e Stambollit e fitoi Kupën në vitin 2005.

Presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Razvan Burleanu, e konfirmoi rikthimin e Hagi në prezantim: “Pas disa përpjekjeve me kalimin e kohës për të sjellë Gheorghe Hagi në krye të ekipit kombëtar, sot kemi arritur në atë ditë të lumtur dhe mund të konfirmojmë se ai po kthehet në ekipin kombëtar”.

Ndërsa vetë Hagi u shpreh se e ndien si nder dhe përgjegjësi rikthimin: “Është një nder dhe një përgjegjësi e madhe të përfaqësoj Rumaninë edhe një herë, siç bëra si lojtar. Shpresoj të kem sukses në këtë si trajner, sepse e vetmja gjë që ka rëndësi është performanca dhe suksesi. Kjo është arsyeja pse iu bashkova ekipit kombëtar dhe jam i bindur se mund të arrijmë arritje të bukura”.

Sfida e radhës, Liga e Kombeve

Rumania do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve, ku është në grup me Poloninë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Suedinë.

Ndeshjet janë planifikuar nga 25 shtatori deri më 17 nëntor të këtij viti. Ndërkohë, në vitin 2027 do të nisin kualifikimet për Euro 2028, që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës. /Telegrafi/