Please enter at least 3 characters.

Gërvalla: Dhuna seksuale gjatë luftës u përdor si armë lufte, drejtësia mbetet obligim i institucioneve

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, mori pjesë sot në konferencën “Së Bashku për Njohje dhe Mbështetje”, të organizuar në kuadër të shënimit të 19 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale si Armë Lufte.

Në fjalën e saj, Gërvalla tha se kjo ditë shërben për të nderuar të gjithë ata që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për të riafirmuar përkushtimin institucional për drejtësi.

Ajo theksoi se dhuna seksuale gjatë luftës nuk ishte një pasojë e rastësishme e konfliktit, por një krim i planifikuar dhe i përdorur si mjet lufte.

“Dhuna seksuale nuk ishte një pjesë e rastësishme apo rezultat i rastësishëm i luftës. Ajo u përdor si armë lufte. U përdor për të poshtëruar, për të frikësuar dhe për të lënë plagë të thella, të cilat vazhdojnë të ndihen edhe sot”, deklaroi Gërvalla.

Duke folur për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ajo vlerësoi guximin e tyre për të thyer heshtjen dhe për të kërkuar drejtësi.

“Për shumë vite, mbi këto krime rëndoi heshtja. Prandaj sot nderojmë jo vetëm vuajtjen e të mbijetuarve, por mbi të gjitha guximin e tyre për të folur, për të dëshmuar dhe për të kërkuar drejtësi”, tha ministrja.

Gërvalla shprehu mirënjohje për organizatat e shoqërisë civile, aktivistët dhe profesionistët që kanë kontribuar në mbështetjen e të mbijetuarve, duke veçuar edhe rolin e ish-presidentes Atifete Jahjaga në sensibilizimin e opinionit publik për këtë çështje.

Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për dokumentimin, hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke përmendur forcimin e kapaciteteve institucionale, krijimin e mekanizmave për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarve, si dhe mundësimin e gjykimit në mungesë për krimet e luftës.

“Sepse mungesa e bashkëpunimit nga Serbia nuk do të duhet të na bëhet pengesë e përhershme për kërkimin e drejtësisë”, u shpreh ajo.

Në fund, Gërvalla ritheksoi se drejtësia për të mbijetuarit mbetet një obligim i përditshëm i institucioneve dhe se autorët e këtyre krimeve duhet të përballen me drejtësinë.

“Ju nuk jeni vetëm. Ne nuk do të harrojmë dhe nuk do të heshtim. Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi të vërtetë, drejtësi institucionale dhe përgjegjësi për të gjitha krimet e luftës. Guximi juaj është pjesë e historisë, e lirisë sonë dhe e forcës së Republikës së Kosovës”, përfundoi Gërvalla./Telegrafi/