GERMIN reagon ndaj Prokurorisë Speciale: Përmendja e emrit tonë në aktakuzë është e padrejtë dhe e pabazuar
Organizata GERMIN ka reaguar ashpër ndaj përmendjes së saj në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me aktakuzën ndaj Ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe një zyrtari tjetër të ministrisë me inicialet B.K.
Në një deklaratë për media, GERMIN e cilëson përmendjen e saj në këtë aktakuzë si “të padrejtë, të pabazuar dhe të dëmshme”, duke theksuar se organizata nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale apo financiare me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
“GERMIN nuk ka përfituar asnjëherë mjete financiare nga MZHR dhe as nuk ka qenë pjesë e ndonjë procesi që mund të ketë lidhje me rastin për të cilin është ngritur aktakuza”, thuhet në reagimin e organizatës.
Ajo thekson se përmendja në një proces penal pa ndonjë lidhje faktike apo ligjore, dëmton reputacionin e ndërtuar me përkushtim ndër vite.
“Jemi një organizatë e pavarur që angazhohet për fuqizimin e diasporës dhe lidhjeve të saj me Kosovën. Të gjitha aktivitetet tona financiare dhe programore i nënshtrohen auditimeve të rregullta nga auditorë të brendshëm dhe të jashtëm, dhe ato publikohen në mënyrë transparente”, thuhet më tej në deklaratë.
GERMIN i ka bërë thirrje mediave dhe publikut që të mbështeten në faktet dhe deklaratat zyrtare dhe të shmangin përhapjen e informacioneve të pasakta, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që të tregojnë kujdes maksimal kur përmendin organizatat e shoqërisë civile në procese të ndjeshme gjyqësore.
Organizata ka ritheksuar përkushtimin për të vepruar me përgjegjësi dhe transparencë në funksion të përfaqësimit të denjë të Kosovës dhe diasporës së saj në arenën ndërkombëtare./Telegrafi/


