Gabimi që zemëroi tifozët e PSG-së: Digne kritikohet ashpër pas dështimit ndaj Spanjës
Paraqitja e dobët e Lucas Digne në humbjen 2-0 të Francës ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ka shkaktuar reagime të ashpra nga tifozët e Paris Saint-Germain.
Mbrojtësi i majtë, i cili po lidhet ngushtë me një transferim te kampionët e Francës, u gjend në qendër të kritikave pasi shkaktoi penalltinë që i hapi rrugën fitores së spanjollëve.
Reagimet në rrjetet sociale ishin kryesisht negative, me shumë tifozë të PSG-së që shprehën dyshime për aftësinë e Digne për të qenë pjesë e skuadrës.
Disa vunë në pikëpyetje transferimin e tij të mundshëm në "Parc des Princes", ndërsa të tjerë kërkuan që klubi të rishqyrtojë vendimin pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Spanjës.
Disa nga reagimet më të komentuara ishin:
"Pas kësaj ndeshjeje, PSG ndoshta do ta prishë kontratën me Digne. Sonte ishte tmerrësisht i dobët".
"Ai nuk është i denjë të veshë fanellën e PSG-së".
"Lucas Digne po përpiqet ta bindë Luis Enrique të mos e anulojë transferimin e tij te PSG pas kësaj ndeshjeje".
"Prisni pak... Digne ende nuk ka firmosur zyrtarisht me PSG-në, apo jo? Le të qëndrojë te Aston Villa”.
"Lucas Digne te PSG? Ai është edhe më i dobët se Beraldo. Çfarë po bëni?".
Paraqitja e mbrojtësit francez ka ngritur pikëpyetje mes tifozëve parisienë, të cilët nuk janë të bindur se ai do të ishte përforcimi i duhur për krahun e majtë të ekipit të Luis Enrique.
Kritikat e shumta në rrjetet sociale tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e tifozëve e kundërshtojnë afrimin e tij, veçanërisht pas gabimit vendimtar në gjysmëfinalen e Botërorit. /Telegrafi/


