Please enter at least 3 characters.

Fundamentalizmi fetar keqkuptohet në Kosovë (Audio)

2016/01/fundamentalizmi-fetar-keqkuptohet-n-euml-kosov-euml-audio_hd.jpg

Profesor Ismajl Hasani, ekspert në fushën e sociologjisë së religjionit, vlerëson se fondamentet e të gjitha besimeve monoteiste janë parime bazë të cilat u ofrojnë besimtarëve vlerat e etikës njerëzore.

“Të gjitha religjionet botërore abrahamike kanë për synim paqen, mirësinë, mirëqenien, sjelljen e kulturuar, sjelljen e devotshme, përcaktimin për besimin e caktuar, vlerësimin dhe respektimin e vlerave fondamentale të moralit njerëzor, respektimin e vlerave fondamentale fetare, që në një mënyrë janë vlera fondamentale të etikës njerëzore”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesor Hasani.

Në anën tjetër, drejtuesit e bashkësive fetare më të mëdha në Kosovë, vlerësojnë se nocionet fondament dhe fundamentalizmit, me kalimin e kohës, kanë devijuar në ndërlidhjen e tyre.

Nocioni fundamentalizëm apo fundamentalist, sipas tyre, tashmë përdoret në konotacionin negativ dhe u referohet individëve apo grupeve fetare që përmes sjelljeve ekstreme dhe radikale imponojnë bazat e fesë së tyre.

“Fjala fondament do të thotë bazë apo kthim në bazë. Po ashtu, edhe fundamentalizmi kuptimin parësor e ka që njerëzit të kthehen në bazat reale dhe të mirëfillta të fesë, pavarësisht se cila fe është ajo, islame, e krishtere apo hebre”, thekson Sabri Bajgora, kryeimam i Kosovës. “Me kalimin e kohës, ata njerëz që i janë përkushtuar fesë në mënyrë shumë strikte, janë parë nga të tjerët si pengesë apo si njerëz që mund të jenë të dhunshëm, e që në fakt nuk janë, sepse ta respektosh fenë tënde në mënyrë strikte nuk do të thotë që të thotë të jesh i dhunshëm ndaj të tjerëve.

Mendim të përafërt ka edhe përfaqësuesi i Kishës katolike në Kosovë, Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës. Sipas tij, fondamenti i besimit, tashmë si nocion, jo rrallë shikohet me keqkuptim.

“Lidhur me çështjen e fondamentit, padyshim që sot, në atë aspektin terminologjik të fjalës, merret edhe në kuptimin tjetër, shpeshherë për njerëzit që janë të ngarkuar në kuptimin e ekstremizmit. Kështu, në Kishën katolike kemi për fondament normat e moralit, kemi për fondament Kodin kishtar e kështu me radhë”, thotë ai.

Përfaqësuesi i Kishës ortodokse serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq, thotë se të gjithë ne jetojmë në kohën kur terminologjia po ndryshon.

“Në një mënyrë të caktuar, ato krijojnë konfuzion, sepse njerëz të caktuar konsiderojnë se kthimi në bazën e besimit të tyre nuk është gjë e keqe. Por, problem është atëherë kur e interpretojmë gabimisht. Fundamentalizëm është edhe tradicionaliteti. Te ne tradicionalizmi nuk është nocion negativ. Unë jam tradicionalist, por nuk jam konservativ”, shprehet Janjiq.

Në anën tjetër, profesor Hasani shpjegon se të gjitha rastet kur nocioneve bazë u shtohen prapashtesa “izëm”, ato shndërrohen në pezhorativ dhe marrin konotacionin negativ. Në rastin konkret, kur individi apo grupe të caktuara thirren në fondamentin e një religjioni, ndërkohë që e keqpërdorin atë dhe dalin jashtë atij fondamenti për t’i arritur qëllimet e caktuara karshi individëve apo grupeve të religjioneve tjera, atëherë atyre iu referohet nocioni fundamentalist.

“Nëse nuk i përmbahet fondamentit, është fundamentalist dhe ‘izma’ e çon te degjenerimi i fondamentit. Do të thotë, çdo ‘izëm’ përdoret në mënyrë pezhorative”, thekson profesor Hasani.

Por, sipas kryeimamit të Kosovës, njerëzit që nuk respektojnë bazën fetare nuk janë as fetarë të mirë. Të tillët, siç thotë ai, keqkuptojnë dhe keqpërdorin normat fetare dhe nga e gjithë kjo burojnë ekstremizmat dhe radikalizmat fetarë.

“Është mirë që t’u sqarohet njerëzve që ky term nuk nënkupton që gjithsesi të jesh edhe ekstremist”, thotë Bajgora.

Edhe Don Shan Zefi vlerëson se t’i drejtohesh dikujt me cilësimin fundamentalist, është mjaft konfuze.

“Nëse merret në aspektin e ngushtë, se ai i përmbahet me përpikëri normave kishtare dhe respekton tjetrin, atëherë nuk duhet që çështja të shtrohet në kuptimin negativ të fjalës”, vlerëson Don Shan Zefi.

Edhe Janjiq pajtohet me këtë.

“Unë më parë do ta përdorja fjalën fanatizëm fetar apo ekstremizëm fetar. Është shumë e rëndësishme që liderët fetarë të sqarojnë se kthimi në bazën e besimit nuk do të thotë edhe keqpërdorim i atij besimi”, pohon igumeni Janjiq.

Ndryshe, profesor Hasani vlerëson se në secilin religjion ekziston fundamentalizmi, por krejtësisht varet se si shikohet ai.

“Nëse i themi një predikuesi normal, ta zëmë, një hoxhe, një prifti ose një prelati dhe i drejtohemi me termin ‘fundamentalist’, kjo do të thotë se atij i bëjmë nder. Do të thotë se ai i qaset religjionit në mënyrë fundamentaliste mbi parimet e analizës së thellë dhe të gjithanshme të dogmës fetare. Ndërkohë, njerëzit që janë adhurues të fesë dhe kanë dije të limituara të fesë, por që përpiqen që afetarizmin e vet ta shpërfaqin me dukjen e jashtme, me mënyrën e veshjes, me mënyrën e ndryshimit të ritualeve të ndryshme fetare, atëherë situata ndryshon krejtësisht”, shpjegon profesor Hasani.

Ai shton se ka autorë të ndryshëm që u janë qasur dallimeve të nocioneve, fondament, fondamental dhe fundamentalizëm. Sipas tij, ka pasur mendime se ka sinonimi ndërmjet asaj që predikuesit e ndryshëm, me qëllim të ngulitjes së religjionit dhe dominimit të religjionit të vet, pretendojnë që çdo qasje lidhur me religjionin ka konotacion fundamentalist.

Por, siç ka thënë ai, ka edhe mendime që nocionin fundamentalizëm përpiqen ta identifikojnë me ekstremet ideologjike dhe politike të islamit ose të ndonjë religjioni tjetër. Profesor Hasani vlerëson se të dy rastet janë të gabuara kur përdoren nocionet fondament dhe fundamentalizëm, qoftë atëherë kur sinonimohen ato, qoftë atëherë kur ndahen dhe nocionin fundamentalizëm e përdorin me qëllim të denigrimit të një religjioni të caktuar. /REL/