FSK përgatitet për dislokim në Gaza, ekipi kryen vlerësim paraprak
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se një ekip i saj ka udhëtuar drejt Gazës për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të operojnë trupat e saj në kuadër të një misioni paqeruajtës ndërkombëtar.
Sipas FSK-së, ekipi është dërguar me vendim të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Në njoftim thuhet se qëllimi i vizitës është vlerësimi paraprak dhe koordinimi i aktiviteteve për dislokimin e kontingjentit të FSK-së.
“Gjatë kësaj vizite ekipi do të bëjë vlerësimin paraprak dhe koordinimin e aktiviteteve të dislokimit për kontigjentin e FSK-së, që do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza", thuhet në njoftim.
FSK ka bërë të ditur se delegacioni ka zhvilluar takime me autoritetet për administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC).
“Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritete nacionale për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së", thuhet më tej në njoftim.
Sipas FSK-së, në këto takime është diskutuar për integrimin e kontingjentit, operacionet e përbashkëta dhe mbështetjen logjistike.
“Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global… duke vepruar në përputhje me standardet dhe vlerat ndërkombëtare për ruajtjen e paqes", theksohet në njoftim.
FSK ka ritheksuar se vazhdon bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në misione paqeruajtëse dhe operacione ndërkombëtare. /Telegrafi/


