Fshati “më pranë qiellit” në botë, ku jetojnë rreth 100 banorë
Në një lartësi prej rreth 4,587 metrash mbi nivelin e detit, në luginën e largët Spiti të Himachal Pradesh, Indi, ndodhet Komic, një prej vendbanimeve më të larta në botë të lidhura me rrugë automobilistike.
I rrethuar nga majat e mbuluara me borë të Himalajeve, fshati ka rreth 100 banorë, të cilët jetojnë në kushte ekstreme, me nivele shumë më të ulëta oksigjeni dhe temperatura që gjatë dimrit e bëjnë të vështirë mbijetesën e pemëve dhe shumë bimëve.
Në hyrje të Komic gjendet një tabelë që e përshkruan atë si fshatin më të lartë në botë të lidhur me rrugë të kalueshme me automjete.
Edhe vendbanime të tjera, si Dho Tarap në Nepal dhe Santa Barbara në Bolivi, pretendojnë tituj të ngjashëm, por Komic është padyshim ndër vendbanimet më të larta të banuara dhe të arritshme me automjet.
Jeta atje nuk është aspak e lehtë. Lugina e Spitit është një shkretëtirë e ftohtë trans-himalajane dhe për gati gjashtë muaj të vitit, reshjet e dendura të borës bllokojnë qafat malore, duke e izoluar zonën nga pjesa tjetër e Indisë.
Interneti dhe telefonia janë të kufizuara, ndërsa shkollat dhe shërbimet shëndetësore ndodhen larg.
Si mbijetojnë në 4,500 metra lartësi?
Shtëpitë e Komic janë kryesisht prej balte dhe guri, me mure rreth 60 centimetra të trasha, të ndërtuara për të ruajtur nxehtësinë. Ato lyhen me të bardhë për të reflektuar rrezet e diellit gjatë ditës.
Në dimër, uji ngrin shpesh.
Edhe kafshët mbahen brenda gjatë natës për t'i mbrojtur nga temperaturat ekstreme.
Një zonë e pasur me histori
Pranë Komic ndodhet fshati Langza, i njohur për fosilet detare që dëshmojnë se kjo zonë dikur ishte pjesë e Detit të lashtë Tethys, miliona vite më parë, përpara formimit të Himalajeve.
Ndërkohë, maja Chau Chau Kang Nilda, rreth 6,100 metra e lartë, konsiderohet e shenjtë nga banorët vendas. Në fshatin e afërt Hikkim ndodhet gjithashtu një prej zyrave postare më të larta në botë.
Pavarësisht izolimit dhe kushteve të vështira, banorët e Komic mbështeten fort te njëri-tjetri.
Nëse një familje organizon një festë, i gjithë komuniteti bashkohet për të ndihmuar.


