Please enter at least 3 characters.

Franca nis shërbimin e ri ushtarak vullnetar, 3,000 të rinj i bashkohen programit

Franca ka nisur këtë javë programin e saj të ri të shërbimit kombëtar vullnetar, në një përpjekje për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes dhe për të krijuar një rezervë të re potenciale për ushtrinë.

Rreth 3,000 të rinj janë pjesë e grupit të parë që do të kryejë një shërbim 10-mujor. Programi zëvendëson shërbimin e mëparshëm kombëtar universal, i cili tashmë është hequr.

Gjatë pesë javëve të para, pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen trajnimit bazë ushtarak, ku do të mësojnë disiplinën, stërvitjet ushtarake, këngët ushtarake dhe përdorimin e armëve.

Pas trajnimit fillestar, ata do të vendosen në njësi të ushtrisë, forcave ajrore ose marinës franceze, transmeton Telegrafi.

Në këmbim, pjesëmarrësit do të përfitojnë akomodim, ushqim dhe veshmbathje, ndërsa do të marrin edhe një pagesë prej 800 eurosh në muaj.

Përzgjedhja e grupit të parë është bërë mbi bazën e aplikimeve dhe motivimit të kandidatëve, pavarësisht nëse kanë apo jo diplomë universitare. Për momentin, të gjitha detyrat e tyre do të zhvillohen brenda territorit francez.

Qeveria franceze synon që programi të zgjerohet gradualisht në 10,000 vullnetarë në vit, ndërsa objektivi afatgjatë është që deri në vitin 2035 numri të arrijë deri në 50,000 pjesëmarrës në vit.

Për ushtrinë, një nga qëllimet kryesore është krijimi i një grupi të ri të rinjsh që mund të bëhen më vonë pjesë e forcave të armatosura ose rezervës ushtarake.

Megjithatë, programi nuk pritet të shndërrohet në një shërbim të detyrueshëm kombëtar.

Forcat e armatosura franceze kanë aktualisht rreth 200,000 pjesëtarë, ndërsa nuk kanë kapacitetin për të përfshirë një brez të tërë të rinjsh, i cili mund të përbëjë rreth 700,000 persona në vit.

Edhe financat e dobëta publike të Francës e bëjnë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm më pak të mundshëm. Vetëm programi aktual vullnetar pritet t’i kushtojë shtetit rreth 1 miliard euro deri në vitin 2030, nëse numri i pjesëmarrësve arrin në 10,000 në vit.

Nisma vjen në një kohë kur Franca dhe vendet e tjera evropiane po rrisin përgatitjet e tyre të mbrojtjes, ndërsa lufta në Ukrainë dhe pasiguritë mbi sigurinë evropiane kanë rikthyer në qendër të vëmendjes gatishmërinë ushtarake dhe rezervat njerëzore. /Telegrafi/