Foshnja po fle, por ju e dëgjoni duke qarë? Ja pse ndodh ky fenomen i çuditshëm
Shumë prindër të rinj përjetojnë “të qarën fantazmë” – ekspertët e lidhin me ndryshimet në tru, mungesën e gjumit dhe gjendjen e shtuar të alarmit pas lindjes
Në javët e para pas lindjes së vajzës sime, mendova se po humbisja kontrollin. Pothuajse sa herë që hyja në dush, më dukej sikur e dëgjoja duke qarë.
Dilja me nxitim nga dushi, me shampon ende në flokë dhe me gjurmë uji nëpër qilim, vetëm për ta gjetur foshnjën në krevatin pranë shtratit, të qetë, me sytë mbyllur dhe duke fjetur thellë.
Kjo më ndodhi për muaj të tërë. Nuk e mbaj mend saktësisht kur pushoi, por ndoshta rreth muajit të tretë ose të katërt.
Dhe, siç rezulton, kjo përvojë nuk është aspak e rrallë.
Pse dëgjojmë të qarën e foshnjës edhe kur ajo nuk qan?
Nënat kanë treguar se e dëgjojnë këtë “të qarë fantazmë” gjatë dushit, natën apo ndërsa foshnja fle gjatë ditës. Mund të jeni në një dhomë tjetër, duke bërë punët e shtëpisë, dhe të jeni të bindur se e dëgjuat foshnjën duke qarë – vetëm për ta gjetur atë duke fjetur qetësisht.
Fenomeni nuk është studiuar në mënyrë të gjerë, por mjekët thonë se është relativisht i zakonshëm pas lindjes së një fëmije.
Pediatrja dr. Kiran Rahim shpjegon se lindja sjell ndryshime në qelizat dhe lidhjet nervore të trurit të nënës.
Këto ndryshime mund të jenë një nga arsyet pse truri bëhet jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj tingujve që lidhen me foshnjën.
Gjinekologia Megan Gray e lidh fenomenin me një tru amësor shumë të stimuluar, i cili përshtatet për të reaguar menjëherë ndaj të qarës së foshnjës. Si pasojë, vëmendja ndaj tingujve bëhet shumë më e lartë.
Ndryshime të ngjashme mund të ndodhin edhe në trurin e baballarëve, megjithëse ndoshta në një shkallë më të vogël, transmeton Telegrafi.
Mungesa e gjumit dhe gjendja e vazhdueshme e alarmit
Në muajt e parë pas lindjes, jeta ndryshon rrënjësisht. Prindërit flenë më pak, janë vazhdimisht vigjilentë ndaj nevojave të foshnjës dhe shpesh u ndryshojnë plotësisht rutinat e ushqimit, aktivitetit fizik dhe kujdesit për veten.
Sipas dr. Rahim, në këtë periudhë disa prej lidhjeve nervore mund të “ngatërrohen”, duke bërë që prindi të perceptojë të qarën edhe kur foshnja është në gjumë.
Shumë prindër jetojnë në një gjendje pothuajse të vazhdueshme stresi gjatë javëve dhe muajve të parë. Organizmi mbetet në një gjendje të shtuar alarmi, i gatshëm të reagojë edhe ndaj stimulit më të vogël.
“E qara fantazmë” lidhet gjithashtu me mungesën e gjumit dhe me shëndetin mendor pas lindjes, veçanërisht me ankthin dhe depresionin.
Sipas dr. Rahim, deri në një në pesë gra mund të përjetojë probleme të shëndetit mendor pas lindjes, ndaj edhe ky fenomen mund të jetë më i zakonshëm sesa mendohet.
Kur zakonisht largohet?
Në shumicën e rasteve fenomeni zbehet vetvetiu pas rreth tre deri në gjashtë muaj, ndërsa prindërit përshtaten me rutinën e re dhe organizmi del gradualisht nga gjendja e vazhdueshme e alarmit.
Nëse të qarët “fantazmë” ndodh shumë shpesh, mund të ndihmojë që prindi të sigurojë më shumë pushim dhe gjumë. Për shembull, partneri ose një familjar mund të marrë përsipër herë pas here ushqyerjen gjatë natës apo ndërrimin e pelenave.
Nëse fenomeni fillon të ndikojë në jetën e përditshme, shkakton ankth të fortë ose shoqërohet me simptoma të tjera emocionale, është e këshillueshme të bisedohet me një profesionist shëndetësor – mami, mjek familjar, gjinekolog apo psikolog. /Telegrafi/


