Please enter at least 3 characters.

Forcat Tokësore shqiptare zhvillojnë trajnim të përbashkët me ushtrinë italiane për operacione në terrene malore

Efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore të Shqipërisë kanë zhvilluar një trajnim të përbashkët me homologët e tyre nga Regjimenti i VII-të Alpin i Brigadës italiane “Julia”, me fokus në rritjen e aftësive taktike për zhvillimin e operacioneve në terrene malore.

Lajmi është bërë i ditur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, i cili ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët italianë në forcimin e kapaciteteve operacionale.

Sipas tij, stërvitja e përbashkët ka shërbyer për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira mes dy forcave, duke kontribuar në rritjen profesionale të efektivëve shqiptarë, përmirësimin e procedurave operacionale dhe forcimin e ndërveprueshmërisë mes ushtrive të dy vendeve.

Bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë dhe Italisë konsiderohet një element i rëndësishëm në rritjen e gatishmërisë dhe aftësive të forcave të armatosura, veçanërisht në misionet dhe operacionet që zhvillohen në terrene të vështira malore.