Please enter at least 3 characters.

Flamuri dhe “mbrojtësit” e vlerave kombëtare

Shqiptarët e Kosovës Lindore nuk mund ta gjejnë vetën në flamur të Kosovës. Por sikur ata të ishin të vetmit? A janë duke e gjetur vetën në po të njëjtin flamur edhe vet shqiptarët e Kosovës? Ky flamur së bashku me stemën me gjashtë yjet të cilët zbardhin në fushë të kaltër në heshtje prononcojnë së paku sipas sqarimit të turbullt zyrtar që u dha, emrat e komuniteteve të Kosovës shumetnike: shqiptar, serbë, boshnjakë, turk, romë, ashkali.

Ç’është e vërteta me një përllogaritje të thjeshtë matematikore, ndonëse këtë “fore” e gëlltiti opinioni, vërehet që nuk pat yll për goranët dhe egjiptianët të cilët janë gjithashtu komunitete zyrtarisht të pranuara dhe pjesë e tabllos kushtetuese, kurse malazezët vetëm më vonë u njohën si komunitet ngase ata jo vetëm që Kushtetuta e Kosovës i kishte harruar, por e kishin bërë këtë me fajin e tyre, ata e kishin harruar vetveten dhe ishin shkrirë në serbë.

Sa i përket yjeve, në variantin komik dikush lehtë do të propozonte që këto tri bashkësi të fundit ta gjejnë vetën diku në njërin nga yjet e të mos ndryshohet flamuri orë e çast. Sidoqoftë të mos shkojmë më tutje ngase në vazhdimësi dikujt atje në kolltukë të butë, do ti mund ti bie në mend të zbulojë komunitete tjera për të arsyetuar laramanin artificiale etnike kosovare. Sa për yje ata ia bëjnë disi, tani kur flamuri i Kosovës nuk ka shqiponjë, yjet mund të vendosen kudo.

Para jo shumë vitesh, kur Presidenti Rugova ishte ende mes nesh, ishte i gjallë edhe propozimi i tij për flamurin e Kosovës. Një flamur i cili ishte bëre objekt akuzash se nuk ishte flamur kombëtar, se nuk po pasqyronte kombin shqiptar, madje edhe akuza se Presidenti e kishte bërë atë propozim pa koncenzus dhe se për këtë nuk kishin dhënë pëlqimin “anti-rugovistët”, gati më shpëtoi fjala enveristët.

Nga një pjesë jo e vogël e mediave të varura nga parti politike “anti-rugoviste” do të niset e gjithë histeria kundër flamurit, të cilin Presidenti Rugova e quante flamuri dardan. Dolën ca trima të cilat publikisht shqyen dhe dogjën flamurin e propozuar nga ai. E shfryen gjithë mllefin mbi flamurin për të cilin instruktorët u kishin thënë që nuk ishte i tyre. E quajtën flamur rugovist, flamur të LDK-së e shumëçka tjetër duke mos e trembur fare syrin që po grisnin dhe digjnin edhe simbolin kombëtar shqiptarë që ishte në mes të flamurit, shqiponjën dykrerëshe.

Ndonëse Presidenti me shumë lehtësi i kishte sqaruar qytetarëve të tij elementet kombëtare të flamurit dhe heraldikën e pasur dardano-shqiptare, “mbrojtësit” duhej të kryenin urdhrat. Kuptohet, do të ishte e pakuptim fare që elementet heraldike tu sqaroheshin edhe “mbrojtësve” që në ato mbrëmje të trishtuara po përfundonin gjahun e tyre të shtrigave kundër flamurit apo po rrihnin shitësit e flamujve kur shihnin flamurin dardan.

E dijë që këtë flamur që ka sot Kosova nuk mund ta ndryshojmë përderisa instruktorët e “trimave” kolliten këndej. Tradicionalisht ata nuk mundën ti shmangen dëshirës egoiste që historia gjithsesi duhet të filloj nga ta, një mësim i indoktrinuar dhe i trashëguar ky nga frymëzues të mëparshëm të tyre. Vetëm do të doja të pyes çfarë u bë me “mbrojtësit” që shqiponjën shqiptare e zëvendësuan me yjet e komuniteteve? Një gjë jam i sigurt, “mbrojtësit” janë pajtuar me flamurin për të cilin kur nuk kuptuan nëse ngjyra në hartë duhet të jetë e verdhë apo e portokalltë e mbyllur.

Çmimi është arritur, instruktorët e “mbrojtësve” janë në kolltukët e butë dhe paralelisht me këtë qepoj bac pasurisë. Kurse tek shkrirja e malazezëve që përmenda më lartë, mbase pas ca kohe edhe mund të bëjmë një analogji me shkrirjen e shqiptarëve të Kosovës. Megjithatë ka një dallim këtu, për dallim nga malazezët, këta të fundit këtë po e bëjnë pa ndikuar këtu Beogradi. Shumë prej nesh jemi në procesin e të kuptuarit se ku po na katandisin instruktorët e “mbrojtësve” të vlerave kombëtare, po të njëjtit që urdhëruan shqyerjen dhe djegien e flamurit të Presidentit në mënyrë që sot më lehtë të na mbushin mendjen që historia filloi nga ata.