Fitime të mëdha nga baste pas anomalive në të dhënat e motit
Shërbimi francez i motit dyshon se sensorët e temperaturës në një stacion meteorologjik janë manipuluar për të ndikuar në baste në platformën Polymarket, një faqe ku përdoruesit vënë para mbi parashikime të ndryshme, përfshirë edhe temperaturat.
Rasti lidhet me stacionin në aeroportin Charles de Gaulle në Paris, ku janë vërejtur luhatje të pazakonta të temperaturës që nuk janë regjistruar nga stacione të tjera në zonë. Këto ndryshime kanë ndodhur në ditë specifike të marsit dhe prillit.
Në të njëjtën kohë, në Polymarket janë vënë baste të mëdha mbi temperaturën në Paris, ku disa përdorues kanë fituar shuma të konsiderueshme parash duke parashikuar saktë vlerat e temperaturës në momentet kur ndodhën anomalitë.
Një organizatë franceze e klimës vuri re fillimisht këto rritje të papritura të temperaturës dhe i cilësoi si të dyshimta, duke sugjeruar fillimisht një defekt ose problem teknik me sensorët.
Më vonë, u ngrit dyshimi se mund të ketë pasur manipulim të qëllimshëm të pajisjeve, ndoshta për të ndikuar në rezultatet e basteve, dhe autoritetet franceze kanë hapur një hetim zyrtar.
Ndërkohë, Polymarket ka ndalur përdorimin e të dhënave nga ky sensor dhe ka kaluar në një burim tjetër për matjen e temperaturës në Paris për të shmangur probleme të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/


