Filipçe: Ndryshimet kushtetuese janë hapi i parë, çdo gjë tjetër është gënjeshtër për qytetarët
Hapi i parë që duhet të ndërmerret për të vazhduar rrugën evropiane janë ndryshimet kushtetuese, çdo gjë tjetër është gënjeshtër për qytetarët, tha Kryetari i LSDM-së, Venko Filip[e, në konferencën "Shtatë dekada më vonë: Nga Vizioni i Shuman-it te Sfidat e Reja Gjeopolitike të Evropës".
Filipçe theksoi se procesi është i qartë, ndryshimet kushtetuese, dhe pastaj hapi tjetër është mbajtja e konferencës ndërqeveritare.
"Hapi i parë që duhet të ndërmerret është të bëhen ndryshime kushtetuese, dhe të zhvillohet konferenca e ardhshme ndërqeveritare. Kjo është në tryezë. Mund të debatojmë deri nesër për vlerat e Bashkimit Evropian, për mënyrën se si do t'i rivendosim vlerat shoqërore. Nuk do t'i rivendosim ato pa këtë. Do të jetë edhe më keq dhe edhe më shumë të rinj do të emigrojnë dhe nuk do të shohin një shans këtu", tha Filipçe.
Në fjalimin e tij, Filipçe kujtoi se LSDM ofroi bashkim rreth interesave kombëtare, por se nuk kishte mbështetje për të nga asnjë parti politike.
"Pse ka ky skepticizëm? Pse ka frikë? Ne shkruam një projekt-rezolutë për t'u bashkuar rreth interesave kombëtare, pas votimit për ndryshimet kushtetuese nuk ka negociata për asnjë përcaktues identiteti. Asnjë parti nuk u përgjigj. Nga çfarë kemi frikë, nëse të gjithë ulemi së bashku në tryezë për këto çështje? E dimë se cili është hapi i parë", tha Filipçe.
Ai theksoi se asnjë përcaktues identiteti nuk kërcënohet nga ndryshimet kushtetuese dhe i kërkoi qeverisë të shpjegojë publikisht se nga çfarë saktësisht ka frikë./Telegrafi/


