FIFA hap procedura disiplinore ndaj Argjentinës pas incidentit në Kupën e Botës
FIFA ka nisur procedura disiplinore ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit për ngjarjet që shoqëruan paraqitjet e kombëtares në Kupën e Botës 2026, përfshirë edhe shfaqjen e një pankarte me mesazh politik pas fitores në gjysmëfinale ndaj Anglisë.
Pas triumfit 2-1 në Atlanta, disa futbollistë argjentinas festuan kualifikimin në finale duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin "Las Malvinas son Argentinas" ("Malvinat janë argjentinase"), në lidhje me Ishujt Falkland, territor që administrohet nga Mbretëria e Bashkuar, por që Argjentina vazhdon ta pretendojë si pjesë të saj.
Kodi disiplinor i FIFA-s ndalon përdorimin e ngjarjeve sportive për demonstrime me karakter jofutbollistik, ndërsa ky veprim shkaktoi reagime të shumta politike në të dyja anët e Atlantikut.
Përfaqësues të qeverisë britanike reaguan duke theksuar se Ishujt Falkland janë territor britanik, ndërsa Andrew Giuliani, drejtues i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për FIFA-n, mbrojti futbollistët argjentinas duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara besojnë në lirinë e shprehjes.
Ky nuk është rasti i parë kur Argjentina ndëshkohet për një mesazh të tillë. Në vitin 2014, FIFA e kishte gjobitur federatën me 20 mijë funte pasi lojtarët shpalosën një pankartë të ngjashme para një ndeshjeje miqësore ndaj Sllovenisë.
Përveç pankartës, aktakuza disiplinore e FIFA-s ndaj Federatës Argjentinase përfshin edhe akuza për thirrje dhe gjeste diskriminuese, vonesa në fillimin e ndeshjeve, mosrespektim të protokolleve të organizimit dhe sigurisë, shfaqje të mesazheve të papërshtatshme nga skuadra dhe tifozët, si dhe hedhje objektesh në fushë gjatë disa takimeve të turneut.
Nën hetim janë edhe disa futbollistë për incidentet që ndodhën pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës, kur festimet e kampionëve u shoqëruan me përplasje mes lojtarëve të të dyja skuadrave.
Mesfushori Leandro Paredes përballet me tri akuza për sulm fizik sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s, pasi u pa duke rrëzuar në tokë Eric Garcian e Spanjës. Ndërkohë, Nahuel Molina akuzohet për dy raste sulmi – një të kryer dhe një të tentuar – si dhe për sjellje josportive.
Edhe ndihmëstrajneri Roberto Ayala është nën hetim për një akuzë për sulm fizik, ndërsa Thiago Almada, i cili nuk luajti në finale, akuzohet për sjellje josportive. Nga ana tjetër, edhe mesfushori spanjoll Gavi është përfshirë në procedurat disiplinore për sjellje josportive.
FIFA ka bërë të ditur se të gjithë të përfshirëve u është dhënë mundësia të paraqesin mbrojtjen e tyre, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga Komisioni Disiplinor i organizatës në një fazë të mëvonshme./Telegrafi/


