Please enter at least 3 characters.

FIFA e UEFA po e zhagisin çështjen e Kosovës

2016/01/f.1006231600997_210.jpg

Futbolli kosovar vazhdon të mbetet i ngulfatur edhe pas më shumë se 14 vjetësh prej përfundimit të luftës e më tepër se 5 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

FIFA dhe UEFA janë duke e zhagitur çështjen e futbollit kosovar vazhdimisht. Kjo u konfirmua edhe në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të shtëpisë së futbollit botëror, ku rasti i Kosovës as që ishte në rend dite. Është krejt tjetër nëse bisedohet apo jo pas mbledhjes, gjë për të cilën s’ka askush informata të sakta.

Duhet cekur se FIFA nuk po e shqyrton as lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës pa kushte, e lëre më pranimin e plotë të shtëpisë së futbollit kosovar.

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) realisht as që e kishin imagjinuar se pritja e tyre do të zgjaste aq shumë. Ata janë pajtuar me ‘fatin’, që politika është faktori kryesor i cili po ndikon në izolimin pothuajse total të futbollit të këtushëm.

“Realisht, nuk e kemi pritur se do të zgjat aq shumë. Nuk e kemi menduar që futbolli do të jetë një prej pikëve kyçe të politikës së sotme ditore. E dimë që është një industri, por nuk e dinim se do të vijë puna që futbolli të bëhet aq i rëndësishëm për politikën, sidomos në atë të serbëve”, deklaroi fillimisht për Express nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Ai e ka kujtuar një rast, kur përfaqësuesja e Kosovës planifikonte të luante me Brazilin dhe menjëherë kishte reaguar ministrja e atëhershme serbe e sportit, ndërsa ditë më pas, serbët krenoheshin dhe e kishin konsideruar si një rezultat dhe të arritur të tyre, anulimin e këtij takimi.

“Nga ai moment e kemi marrë vesh se gjithçka varet prej politikës. Gjithashtu, më kujtohet viti 2008 kur Platini pati thënë se Kosova do të jetë e gatshme në vitin 2016. Duket se ata po i realizojnë datat e tyre, sikur ato të jenë të shënuara diku”, vazhdoi Ademi.

Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se krerët e futbollit kosovar kanë ndenjur duarkryq. Ata janë munduar me të gjitha forcat që ta thyejnë këtë barrierë, por deri tash politika ka triumfuar përballë tyre.

“Kjo nuk do të thotë se nuk e kemi bërë pjesën tonë. Ne kemi punuar deri në maksimum, aq sa kemi mundur, kemi bërë shkresa, kërkesa, kemi shkuar në Ambasada, kemi biseduar me njerëz të Amerikës, të vendeve të Kuintit që janë në Kosovë etj. Kemi bërë gjithçka, duke e përhapur gjithandej rastin tonë dhe padrejtësinë që i bëhet futbollit kosovar”, vijoi ai.

Ademi është i bindur se shpejt do të arrijë dita e pranimit të FFK-së në FIFA e UEFA, pasi që nuk sheh ndonjë arsye që kjo mos të ndodh.

Ai e konsideron këtë si një të drejt të pamohueshme, e cila duhet të realizohet sa më shpejt. Nënkryetari i FFK-së pret zhvillime pozitive në takimin e këtij muaji me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, por konfirmon se shtëpia e futbollit kosovar nuk do të bëjë kompromise dhe nuk do ta pyet askënd tjetër përpos FIFA-s e UEFA-s, për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.

Ai ndër të tjera thekson se FFK-ja e ka edhe përkrahjen e vendeve dërrmuese të ish-Jugosllavisë, të cilat mund ta japin kontributin e tyre duke e shtyrë FIFA-n dhe UEFA-n që t’i thonë ‘PO’ Kosovës.

“Momentalisht janë duke u diskriminuar futbollistët kosovarë, janë viktimë e një çështjeje kryekëput politike. Ne nuk do të kënaqemi vetëm me zhvillimin e ndeshjeve miqësore të Përfaqësueses. Do ta kërkojmë të drejtën tonë, pranimin me të drejta të plota në FIFA e UEFA. Mendoj se është momenti i duhur për të ndodhur edhe kjo”, ka përfunduar Ademi.

Këtë muaj pritet të zhvillohet takimi trepalësh në mes të Blatterit, palës kosovare dhe asaj serbe. Zvicerani ka premtuar se do ta gjejë një zgjidhje më në fund për ‘ne’. Shpresojmë që rasti i Kosovës të mos zhagitet më dhe ky të jetë sinjali i parë i rëndësishëm (miqësoret), pas atij final, respektivisht ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. /Express/Telegrafi/