FIBA ultimatum Serbisë: “Premier Liga Ballkanike” me Kosovën
Kështu shkruan “Kurir” i Serbisë, duke u bazuar në burime brenda FIBA-s.
FIBA do me çdo kusht që në këtë garë të marrin pjesë edhe klubet e Kosovës, e cila së fundmi u njoh nga shtëpia e basketbollit botëror.
Kjo nuk do të ndodhë në sezonin e parë, siç raportoi dje Koha.net, por, sipas “Kurir”, pritet të ndodhë nga sezoni i dytë i garës.
Objektivi i FIBA-s është që në këtë garë të jetë pjesëmarrëse edhe Kosova, duke e kompletuar një garë me të gjithë shtetet e ish-Jugosllavisë.
Pas njohjes së Kosovës, përfshirja e kësaj të fundit në këtë ligë po bëhet me qëllim që të rritet popullariteti i basketbollit në vendin tonë, transmeton Koha.net.
Ky qëllim i FIBA-s ka përkrahjen e pothuajse të gjithë Federatave pjesëmarrëse, mbi të gjitha nga Maqedonia dhe Mali i Zi.
FIBA dje i kishte paraqitur disa Federatave dhe klubeve konceptin e kësaj lige. Klubet serbe kishin vendosur disa kushte për pjesëmarrje, një nga të cilat ishte që FIBA të ofronte një garancion me shkrim për to se klubet nga Kosova nuk do të mund të marrin pjesë në këtë garë në të ardhmen.


