Please enter at least 3 characters.

FIBA inkurajon Kosovën

2016/01/fiba-inkurajon-kosov-euml-n_hd.jpg

 Pak javë pas anëtarësimit të Kosovës në FIBA, udhëheqës të basketbollit evropian dhe botëror, të mërkurën erdhën në Prishtinë, ku i uruan për ndërkombëtarizim gjithë kosovarët, nga të cilët u pritën ngrohtësisht dhe u falënderuan për njohjen.

Fjala është për drejtorin e FIBA Evropës, Kamil Novak, dhe përfaqësuesin e sekretarit të FIBA-s, Lubomir Kotleba.

Dyshja e FIBA-s fillimisht është takuar me Bordin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) i kryesuar nga presidenti, Erolld Belegu, ndërsa pasdite kanë marrë pjesë në një ceremoni speciale të organizuar për ta, nga shtëpia e basketbollit kosovar.

Në këtë ceremoni, Belegu u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që e mbajtën gjallë basketbollin për më shumë se 20 vjet në izolim, derisa falënderoi FIBA-n që e njohu dhe e shpëtoi basketbollin kosovar.

“Do të isha i lumtur që të arrini në nivelet më të larta, atje ku kanë mbërritur shtetet tjera të ish-Jugosllavisë. Për ta arritur këtë, i keni mundësitë. Uroj të kualifikoheni pas 20 vitesh në Olimpiadë dhe në Kampionatin Evropian”, tha Kotleba, i cili qysh në vitin 2008 e pati vizituar Kosovën dhe pati thënë shkaku i politikës FIBA nuk po mund ta pranojë.

"Tash pasi jeni pranuar me të drejta të plota keni edhe shumë detyra pas vetes. Duhet të vazhdoni rrugën me entuziazmin e njëjtë që e keni pasur para pranimit tn FIBA për ta zhvilluar edhe më shumë basketbollin në Kosovë”, tha Kotleba, që e mori nga FBK-ja një mirënjohje dhe një fanellë të Përfaqësueses së Kosovës, por që e mbante emrin e tij.

Edhe drejtori i FIBA Evropës shprehu gëzimin e tij, për anëtarësimin e Kosovës në familjen e basketbollit botëror.

“E përgëzoj punën e madhe që ka bërë FBK-ja dhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Është dashur një kohë e gjatë për t'u pranuar në FIBA, kurse tash ju pret rrugë edhe më e gjatë”, ka deklaruar Kamil Novak.

“Shpresoj që shumë shpejt të merrni pjesë me të gjitha ekipet nëpër kampionatet evropiane, përfshirë këtu edhe “Eurobasketin”. Gjithashtu edhe me klube nëpër garat më të forta dhe uroj që të keni suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Novak.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe Shay Shtriks, drejtori i Ligës Ballkanike, e cila e para e pati njohur Kosovën. “Jam me fat dhe njëkohësisht krenar që jemi pjesë e kësaj historie të basketbollit të Kosovës. Shpresoj të mos harroni të më dërgoni një ftesë për ndeshjen e parë zyrtare të Përfaqësueses së Kosovës”, ka pohuar ai.

Të pranishëm në ceremoni kishte edhe krerë të disa federatave të shteteve tjera, por edhe prijës të sporteve të Kosovës, ministra të Qeverisë, ambasadorë të huaj, etj.