FFK u bën thirrje tifozëve të shkojnë në stërvitje të Përfaqësueses: Ejani bëni foto dhe bashkëbisedoni me yjet e Kosovës
Përfaqësuesja e Kosovës është grumbulluar për ndeshjet e muajit shtator ku do të përballet me Zvicrën dhe Rumaninë.
Dardanët kërkojnë të rikthehen te sukseset pas disa rezultateve zhgënjyese, megjithatë atmosfera në kampin verdh e kaltër është fantastike.
Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se stërvitja e ditës së sotme që mbahet në kampin nacional në Hajvali do të jetë e hapur për publikun.
Kësisoj FFK ka ftuar tifozët e Kosovës që të shkojnë në kampin nacional për të bërë foto dhe t'i shikojnë nga afër futbollistët dardanë.
Njoftimi i plotë nga FFK:Sot është dita për ta shfaqur dashurinë tuaj ndaj futbollit dhe Kombëtares së Kosovës! Ora: 17:30 - Vendndodhja: Kampi Nacional në Hajvali Çfarë ka më të mirë sesa të shikosh talentin dhe pasionin e futbollistëve dardanë në aksion? Stërvitja e sotme do të jetë e hapur për publikun!Bëhuni pjesë e këtij momenti dhe pasuroni koleksionin tuaj të fotove me idhujt tuaj të futbollit!Mos harroni të merrni nënshkrimet e futbollistëve të preferuar e të ndani këtë moment të veçantë me ta! Pa dyshim ky do të jetë një moment i mrekullueshëm që do të mbahet mend për shumë kohë për secilin prej jush!Të bashkuar në përkrahje të Kombëtares tonë në rrugëtimin e tyre drejt suksesit.Shihemi të gjithë sot në Kampin Nacional në Hajvali në orën 17:30! /Telegrafi/


