FFK mendon për çmimin e lojtarit më korrekt
Fundi i vitit po afrohet, andaj ‘fërkoni’ duart sepse Federata e Futbollit të Kosovës po vjen me ‘dhurata’ për më të mirët, raporton Tribuna.
Shtëpia më e madhe e futbollit kosovar ka nisur të mendojë që ta ndajë edhe një shpërblim për lojtarin më korrekt të vitit, duke kërkuar kështu që t’i motivojë futbollistët edhe më shumë që të sillen mirë nëpër fushat sportive.
Lajmin e konfirmoi sekretari i FFK-së, Fazli Berisha. “Çmimi për futbollistin më korret është një ide shumë e mirë. Do të ishte një shtytje për lojtarët që të sillen sa më mirë. Gjatë ditëve të ardhshme do të bisedojë me Fadil Vokrrin dhe me të tjerët dhe besoj që do të vendosim për ta futur në mesin e shpërblimeve edhe lojtarin më korrekt”, deklaroi Berisha për gazetën Arena.
E në rast se konfirmohet ky shpërblim, njëri ndër kandidatët më të fortë për ta fituar atë është edhe futbollisti i Drenicës, Ismet Cakaj. Edhe pse luan në rolin e mbrojtësit, ai në komplet stinorin vjeshtor nuk e ka marrë asnjë karton të verdhë, e lëre më të kuq. Cakaj njihet për korrektësinë ndër vite. /Telegrafi/


