Please enter at least 3 characters.

Festivali i parë i filmit shqiptar pritet të mbahet më 5 mars në Berlin

Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, më 5 mars do të mbahet Festivali i filmit shqiptar, një ngjarje kulturore që synon të promovojë dhe festojë kinemanë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Sipas organizatorëve, festivali do të zgjasë pesë ditë dhe do të sjellë para publikut rreth 20 filma të realizuar gjatë viteve të fundit nga regjisorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe nga diaspora.

Përveç shfaqjeve filmike, programi do të përfshijë edhe diskutime dhe takime me disa nga regjisorët pjesëmarrës, duke krijuar hapësirë për dialog artistik dhe shkëmbim idesh me audiencën.

“Jemi krenarë dhe të emocionuar të njoftojmë Festivalin e parë të Filmit Shqiptar në Berlin. Kjo është një ngjarje historike që feston kreativitetin, vizionin dhe praninë ndërkombëtare në rritje të kinemasë shqiptare”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Sipas tyre, gjatë festivalit Berlini multikulturor do të shndërrohet në një pikë takimi për histori të fuqishme dhe zëra të guximshëm artistikë.

Filmave pjesëmarrës u bashkohet një tematikë e gjerë që përfshin identitetin, historinë, migrimin, traditën dhe realitetet bashkëkohore, të trajtuara me origjinalitet dhe thellësi artistike.

Organizatorët theksojnë se kinemaja shqiptare po përjeton një moment të rëndësishëm zhvillimi, e karakterizuar nga një brez i ri regjisorësh që sjellin rrëfime personale, por edhe histori me angazhim të theksuar shoqëror, duke pasqyruar njëkohësisht rrënjët kulturore dhe evolucionin modern të shoqërive shqiptare.

Po ashtu gjatë festivalit do të mbahen dhe evente paralele që do të promovojnë artin dhe kulturën shqipare, si psh. ekspozitë me piktura, shitje/promovim librash të autorëve shqiptare në Gjermani, etj.

Festivali do të organizohet në ACUD Kino, një nga hapësirat më ikonike dhe të pavarura kulturore të Berlinit, duke u konsideruar si një mundësi unike për bashkimin e regjisorëve, dashamirësve të filmit dhe publikut ndërkombëtar rreth rrëfimit shqiptar në ekranin e madh.

Ndryshe, organizatorët janë pjesë e ABC Book Club (Berlin), ku organizohen rregullisht takime letrare dhe kulturore. /Telegrafi/