Feronikeli, ‘Shopping Centre’
Për klubet e Kosovës dhe të Shqipërisë, Feronikeli tashmë është bërë “qendër tregtare” e kësaj vere. Me të përfunduar Kampionati, klubet nga të dyja vendet ia kanë mësyrë “Niklit”, të cilit po mundohen t’ia marrin lojtarët kryesorë, me të cilët e dominoi Superligën, duke e fituar titullin e kampionit dhe Kupën.
Bujar Shabani tashmë iu është “rrëmbyer” skuadrës gjelbërebardh. Atë e mori kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu. Por, klubi nga Drenasi rrezikon të mbetet edhe lojtarët tjerë kryesorë.
Xhevdet Shabani, Behar Maliqi, Fidan Gërbeshi, Qemail Elshani, Lulëzim Doshlaku, Përparim Livoreka dhe portieri, Granit Kolshi, janë lojtarët që mund të transferohen në klube tjera. Mësohet se të gjithë ata tashmë janë në bisedime me klube tjera nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan Zëri.
Për këtë është i vetëdijshëm Feronikeli. Zyrtarët e tij thonë se nuk do ta pengojnë asnjë lojtarë që të transferohet jashtë shtetit.
“Futbollistët na kanë premtuar se sa u përket klubeve të Kosovës, me asnjërin nuk do të bëjnë marrëveshje, pa biseduar paraprakisht me ne. Pra, fillimisht do të bisedojnë me ne për vazhdimin e kontratës dhe vetëm nëse nuk arrihet marrëveshja do të bisedojnë me klube tjera. Kështu që ne kemi qenë shumë korrektë me ta, besoj se edhe ata do të jenë korrektë me ne në këtë aspekt”, tha për “Zërin” drejtori, Artan Berisha.
“Mirëpo, ne nuk i pengojmë ata të transferohen jashtë Kosovës, siç bëri Bujar Shabani që shkoi në Shqipëri. Përkundrazi, ne kemi dëshirë që ata të bëjnë hapa përpara. Pra, nuk na mbetet hatri nëse shkojnë në Shqipëri apo vende tjera. Ndërsa, për Kosovë, prioritet të gjithë e kanë Feronikelin”, theksoi ai.
Kampioni i ri i Kosovës mund të mbetet edhe pa trajnerin, Gani Sejdiu. Ky i fundit ka bërë të ditur se prioritet i tij mbetet vazhdimi i bashkëpunimit me Feronikelin, por garanci nuk ka ofruar. Ai është bërë dëshirë e disa klubeve tjera kosovare, por e ardhmja e tij mund të lidhet edhe me futbollin maqedonas.
Sejdiu dhe djelmoshat e tij të lartpërmendur bënë mrekullinë, duke fituar titull e Kupë me Feronikelin, i cili gjatë gjithë Kampionatit ushtroi dhe luajti nëpër fusha të huaja, në mungesë të fushës së vet. /Zëri/


