“Fëmijët e nepo-ve” pushtojnë festën e YSL Beauty, Lila Moss, Beckhamët dhe Gallagherët në qendër të vëmendjes
Lila Moss, vajza e supermodeles Kate Moss, u shfaq në qendër të vëmendjes në YSL Beauty Block Party në Londër, ku morën pjesë disa prej pasardhësve të familjeve më të njohura të showbiz-it britanik.
Në event ishin edhe Romeo dhe Cruz Beckham, djemtë e David dhe Victoria Beckham, Rocco Ritchie, djali i Madonna-s dhe Guy Ritchie, si dhe Lennon dhe Gene Gallagher, djemtë e Liam Gallagher. I pranishëm ishte edhe Raff Law, djali i Jude Law dhe Sadie Frost.
Lila, e veshur me një bluzë të zezë transparente me dantella dhe xhinse të zeza, tërhoqi vëmendjen me pamjen e saj, shkruan DailyMail.
Romeo zgjodhi një xhaketë lëkure të zezë, ndërsa Cruz u shfaq me bluzë të zezë, xhinse dhe rrip kafe.
Rocco veshi gjithashtu një xhaketë lëkure dhe xhinse, ndërsa Raff u shfaq me kostum gri dhe bluzë të zezë.
Në festë ishin edhe të dashurat e Romeo dhe Cruz, Kim Turnbull dhe Jackie Apostel.
Eventi u organizua nga YSL Beauty në Rough Trade East, në zonën e Brick Lane, për të promovuar aromën e re Black Opium Pink Glaze, ndërsa performoi edhe ambasadorja globale e markës, Alisha Boe.
Pjesëmarrja e tyre vjen pak ditë pasi një tjetër grup “nepo babies” tërhoqi vëmendjen në festivalet Reading dhe Leeds, ku Cruz Beckham dhe Gene Gallagher performuan me grupet e tyre.
Ndërkohë, Romeo Beckham është bërë edhe fytyra e fushatës dimërore të Burberry për vitin 2026. /Telegrafi/


