Please enter at least 3 characters.

Fansat e James Bond do të presin deri në vitin 2028 për filmin e ri, pauza më e gjatë në historinë e serisë

Fansat e James Bond do të duhet të presin deri në vitin 2028 për filmin e ri, duke shënuar pauzën më të gjatë në historinë e serisë ikonike.

Adhuruesit e sagës së famshme të spiunazhit do të presin edhe dy vite të tjera për rikthimin e agjentit 007 në ekranin e madh.

Nëse filmi publikohet në pranverën e vitit 2028, kjo do të përbëjë hendekun më të gjatë në historinë 64-vjeçare të filmave të Bondit, shkruan DailyMail.

Pas largimit të aktorit Daniel Craig nga roli pas filmit No Time to Die, ende nuk është përzgjedhur aktori i ri që do të marrë rolin kryesor.

Kjo do të thotë se publiku mund të presë rreth shtatë vite nga filmi i fundit deri te publikimi i radhës.

Filmi i ri do të drejtohet nga regjisori Denis Villeneuve, i njohur për suksesin e filmit Dune, ndërsa skenarin do ta shkruajë Steven Knight.

Sipas burimeve, procesi i realizimit pritet të zgjasë më gjatë, pasi producentët synojnë një film të realizuar me kujdes dhe cilësi të lartë.

Ndërkohë, disa emra po përfliten si kandidatë për rolin e ri të Bondit, mes tyre Callum Turner, Harris Dickinson, Jacob Elordi, Aaron Taylor-Johnson dhe Theo James. /Telegrafi/