Please enter at least 3 characters.

“EU With YOU” përmbyll udhëtimin veror në Festivalin e Filmit në Mal të Zi

Udhëtimi veror i festivaleve “EU With YOU” të WeBalkans është përmbyllur në edicionin e 39-të të Festivalit të Filmit në Herceg Novi të Malit të Zi, ku kineastë të rinj, studentë, Ambasadorë të Rinj Evropianë dhe profesionistë të industrisë së filmit diskutuan për bashkëpunimin rajonal, edukimin dhe mundësitë e mbështetura nga Bashkimi Evropian.

Nga Anibar, Maglaj Spirit Weekend dhe Festivali i Filmit në Sarajevë, deri te festivali në Herceg Novi, mesazhi i përbashkët ishte se rrjetëzimi është thelbësor për autorët e rinj, ndërsa bashkëprodhimi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për regjisorët dhe producentët.

Edicioni i sivjetshëm i Festivalit të Filmit në Herceg Novi prezantoi më shumë se 80 filma në kategori të ndryshme, ndërsa aktivitetet e “EU With YOU” u përqendruan në energjinë, kreativitetin dhe potencialin e gjeneratës së re të kineastëve.

Një nga aktivitetet kryesore ishte paneli “Ndërtimi i urave përmes filmit: Bashkëpunimi rajonal, edukimi dhe mundësitë”, i organizuar nga WeBalkans në Dvorana Park.

Paneli u moderua nga Ambasadorja e Re Evropiane Marija Malić, ndërsa pjesëmarrës ishin Aleksandra Bozhoviq, drejtoreshë e Qendrës së Filmit të Malit të Zi, Natasha Buçar, drejtoreshë e Qendrës së Filmit të Sllovenisë, regjisori malazez Ivan Salatiq, profesori i Akademisë së Arteve të Ljubljanës, Miha Jaramaz, si dhe studentë nga akademitë e filmit në Lubjanë dhe Cetinje.

Gjatë diskutimit u theksua se realizimi i filmave sot është një proces gjithnjë e më bashkëpunues. Kineastët e rinj u inkurajuan që rrjetet profesionale t’i ndërtojnë që gjatë studimeve dhe të krijojnë kontakte me partnerë në vende të ndryshme të rajonit.

Sipas organizatorëve, bashkëpunimi mes akademive mund t’u mundësojë studentëve të zhvillojnë ide të përbashkëta dhe të krijojnë bazat për produksione dhe bashkëprodhime të ardhshme.

Në këtë drejtim, bashkëprodhimet evropiane po marrin rol të rëndësishëm, pasi mundësojnë bashkimin e financimit, ekspertizës, ekipeve dhe perspektivave krijuese nga vende të ndryshme.

Aleksandra Bozhoviq vuri theksin te rëndësia e krijimit të hapësirave ku autorët e rinj mund ta ndjekin së bashku gjithë procesin e realizimit të një filmi, nga zhvillimi i idesë dhe produksioni, deri te post-produksioni dhe prezantimi në festivale.

Ajo i inkurajoi kineastët e rinj që të besojnë në idetë e tyre edhe atëherë kur realizimi i tyre në ekran mund të duket i vështirë.

Ndërkohë, Natasha Buçar theksoi se filmat në Slloveni dhe në rajon rrallë realizohen pa partnerë nga vendet e tjera, duke e cilësuar bashkëprodhimin evropian si një prej themeleve të kinematografisë bashkëkohore.

Një prej aktiviteteve më të veçanta të “EU With YOU” ishte takimi me ekipin e filmit “Ranjenik” (“I Plagosuri”), një film 49-minutësh i realizuar kur autorët e tij ishin ende nxënës të klasës së nëntë në shkollën fillore “Sutjeska” në Podgoricë.

Filmi, me regji nga Petar Jovoviq dhe Marija Zhariq, u përfshi në programin shoqërues të Festivalit të Filmit në Herceg Novi.

Punëtoria me ekipin e ri nxori në pah rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në projekte kulturore dhe mënyrën se si përvojat e tilla mund t’i ndihmojnë ata të zbulojnë talentet, interesat dhe aftësitë e tyre për bashkëpunim.

Në kuadër të festivalit, ekipi i “EU With YOU” shoqëroi edhe shfaqjet në Forte Mare, të mbështetura nga programi Creative Europe MEDIA.

Ambasadorët e Rinj Evropianë zhvilluan biseda me kineastë dhe producentë rreth bashkëpunimit evropian dhe rolit të mbështetjes së BE-së në procesin nga zhvillimi i idesë deri te prezantimi i filmit para publikut.

Sipas komunikatës, Creative Europe MEDIA dhe Eurimages kanë luajtur rol të rëndësishëm në realizimin e filmave, festivaleve, bashkëprodhimeve dhe rrjeteve profesionale në rajon.

Për një industri ku financimi mbetet një nga sfidat kryesore, mbështetja përmes këtyre programeve vlerësohet si thelbësore për zhvillimin e projekteve filmike dhe për qëndrueshmërinë e sektorit të filmit në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/