“Është koha që LDK-ja të flasë”, Gashi reagon për tensionet në Kuvend
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur shqetësim për rritjen e tensioneve dhe mungesën e një qëndrimi të qartë të LDK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka thënë se situata në Kuvend po përshkallëzohet dhe se ekziston rreziku i kalimit në përplasje fizike.
“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, në këtë situatë, LDK-ja duhet të ketë një qëndrim të qartë dhe të fuqishëm.
“Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së”, ka deklaruar ai.
Gashi ka vlerësuar se Kosovës aktualisht i mungon roli i LDK-së dhe, siç e ka quajtur ai, “fryma Rugoviane”.
“Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”, ka shkruar deputeti i zgjedhur.
Ai ka bërë thirrje për dialog dhe maturi politike, duke theksuar nevojën për funksionimin e institucioneve.
“Sepse kur institucionet bllokohen dhe tensionet rriten, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi, shtet dhe Republikë”, ka thënë Gashi.
Në fund, ai i ka bërë thirrje partisë së tij që të reagojë publikisht për situatën politike.
“Është koha që LDK-ja të flasë”, ka përfunduar Gashi. /Telegrafi/


