Entuziazmi në qiell te "Dardanët": Biletat për ndeshjen Kosovë - Slloveni shiten për tri orë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese Kosovë – Slloveni, e cila zhvillohet më 10 tetor në kuadër të eliminatoreve për Kupën e Botës 2026, janë shitur.
“Të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026, Kosovë – Slloveni, që zhvillohet më 10 tetor, janë shitur në kohë rekord. Faleminderit tifozëve për përkrahjen e jashtëzakonshme. Ju jeni forca dhe motivi ynë më i madh drejt sukseseve të reja”, shkruan në komunikatën e FFK-së.
Interesimi i madh ishte i pritshëm pas fitores së Kosovës ndaj Suedisë, që ka rikthyer besimin dhe atmosferën pozitive te “Dardanët”.
Çmimet e biletave ndryshonin sipas tribunave: 10 euro për tribunat veriore e jugore, 20 euro për lindoren dhe 30 euro për perëndimoren, ndërsa për zonën VIP çmimi ishte 100 euro.
Kosova ka për kundërshtarë, Zvicrën, Suedinë dhe Sllovenin, ku me 3 pikë, tani mban vendin e dytë. Zvicra e para ka 6 pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë. /Telegrafi/


