Eniss Shabani dominon në Kroaci, paraqitje brilante dhe një vend në formacionin e javës
Eniss Shabani ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit me ekipin e tij NK Vukovar, duke u përfshirë me plotë meritë në formacionin e javës në elitën e futbollit kroat.
Mesfushori shqiptar 22-vjeçar ishte motor i skuadrës së tij në barazimin 2-2 në udhëtim te Slaven Belupo, duke lënë gjurmë në çdo cep të fushës.
Sipas faqes Sofascore, me notën 8.0, Shabani tregoi një performancë të kompletuar. Ai regjistroi 1 asistim, realizoi 6 nga 8 driblime të suksesshme dhe ishte i saktë në 34 nga 39 pasime. Kontrolli i lojës dhe qetësia me topin e bënë diferencën në mesfushë.
Jo vetëm në fazën ofensive, por edhe në mbrojtje ai ishte vendimtar. Shabani fitoi 12 nga 14 duele dhe realizoi disa ndërhyrje kyçe, duke ndihmuar ekipin të ruajë ekuilibrin në një ndeshje të vështirë.
Vendosja e tij në “Ekipin e Javës” nga Sofascore konfirmon formën në rritje dhe ndikimin që po ka në kampionatin elitar kroat. Një paraqitje që nuk kalon pa u vënë re dhe një sinjal i fortë për vazhdimësinë.
Përkrah Eniss Shabani në këtë formacion të javës janë përfshirë edhe disa emra që spikatën me paraqitje vendimtare në Superligën e Kroacisë.
Në portë, më i miri ishte Josip Posavec me notën 9.6. Në mbrojtje, dalluan Arian Borsic, Ruben Gonzalez, Josip Prsir dhe Jovan Mitrovic, të cilët ofruan siguri dhe stabilitet gjatë gjithë ndeshjeve të tyre.
Mesfusha, përveç Shabanit, u kompletua nga Josip Misic, ndërsa në sulm shkëlqyen Luka Jelenic, Dario Maresic dhe Dion Kolinger, të cilët kontribuuan me gola, asistime dhe lëvizje të rrezikshme, duke kompletuar një formacion të mbushur me performanca të nivelit të lartë. /Telegrafi/


