Please enter at least 3 characters.

Eliza Hoxha rikthehet në kuvend, mori mbi 20 mijë vota në zgjedhjet e 7 qershorit

Këngëtarja, arkitektja dhe politikania e njohur, Eliza Hoxha, do të jetë sërish pjesë e Kuvendit të Kosovës, pasi ka siguruar mandatin e saj të katërt si deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Hoxha garoi në zgjedhjet e 7 qershorit me numrin 21 në listën e PDK-së dhe, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare, ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve për një mandat të ri parlamentar. Me mbi 20 mijë vota të fituara, ajo ka siguruar një ulëse në mesin e 22 deputetëve të zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës në legjislaturën e re.

Pas konfirmimit të rezultatit, Eliza Hoxha ka falënderuar votuesit dhe përkrahësit përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

“Çdo takim, çdo bisedë e çdo kërkesë është një marrëdhënie e një përgjegjësi më shumë me qytetarin. Me besimin e dhënë kjo shndërrohet në përgjegjësi për të punuar e për të shërbyer për qytetarin dhe të mirën publike. Kjo në fakt është diçka e natyrshme që unë e kam bërë përherë në të gjitha fushat ku kam punuar e kontribuar ndër vite. Andaj edhe angazhimi dhe përgjegjësia në Kuvend është vetëm një zgjatim i aktivitetit, përkushtimit dhe përgjegjësisë sime publike. E kam bërë me dedikim maksimal edhe në mandatet e kaluara, për çka edhe kam marrë mirënjohje për punën si deputete në agjendën gjinore si dhe atë të komuniteteve në kuadër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Do të vazhdoj me të njëjtin përkushtim! Sepse unë i takoj gjeneratës që ka besuar përherë që Kosova mundet dhe ja vlen. Ju faleminderit për dashninë e besimin!”, ka shkruar Hoxha.

Foto: Eliza Hoxha/Instagram

Për Elizën, ky rikthim në Kuvend vjen vetëm gjashtë muaj pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit 2025 nuk kishte arritur për pak vota të siguronte një mandat parlamentar. Megjithatë, në zgjedhjet e reja të parakohshme ajo ka arritur ta rikthejë mbështetjen e elektoratit dhe të sigurojë sërish ulësen e saj në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.

Eliza Hoxha kishte shërbyer si deputete nga viti 2019 deri në fund të vitit 2025, duke qenë një nga zërat më aktivë në çështjet që lidhen me kulturën, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe komunitetet.

Përveç angazhimit politik, ajo vazhdon të mbetet një prej emrave më të njohur në skenën shqiptare, me një karrierë të suksesshme në muzikë, arkitekturë dhe art, duke numëruar dhjetëra hite, ekspozita dhe projekte profesionale ndër vite. /Telegrafi/