Eliot Hashimi: Në Prishtinë, edhe sporti është bërë luks – Përparimi po bën marketing, jo fusha sportive
Kandidati i Partisë Socialdemokrate (PSD) për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Eliot Hashimi, ka kritikuar ashpër kryetarin aktual të komunës, Përparim Rama, duke e akuzuar se po e trajton Prishtinën si platformë për marketing personal, ndërsa e ka neglizhuar nevojën për hapësira publike sportive për të rinjtë.
Sipas tij, situata për të rinjtë në kryeqytet është tejet e vështirë, veçanërisht për ata që duan të luajnë sporte si futbolli.
Ai theksoi se mungesa e fushave publike të gjelbra dhe infrastruktura e dobët sportive ka bërë që të rinjtë të detyrohen të përdorin fusha private me çmime të papërballueshme.
“Përparimi nuk është kryetar, është influencer me buxhet publik. Ku paguan 20-30 euro për orë. Nëse je i ri në Prishtinë edhe vec don me lujt futboll, ku shkon? Je i obliguar të shkosh në fusha private ku paguan 20-30 euro për orë. Ose nuk luan hiç. Fusha publike me bar? Asnjë. Edhe këto që ekzistojnë janë krejt beton, pa hije, pa ndriçim. Në verë nuk mund të luash se të djeg asfalti. Edhe për me lujt duhet të kesh pare, se në këtë Prishtinë edhe sport është luks. E Përparimi? Ka tri vjet që ndërton spote, jo fusha. Përparim Rama ka shpenzu 227 mijë euro për marketing, për me na tregu sa bukur po duket qyteti. As edhe një euro nuk e ka shpenzu për një fushë më bar ku mundet me lujt rinia”, ka thënë ai. /Telegrafi/


