Please enter at least 3 characters.

Elezi: Sot pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të votave

Procesit të stërzgjatur të numërimit të votave nga Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 duket se po i vije fundi.

Ky proces fillimisht ishte përfunduar pothuajse, por që Komisioni Qendror Zgjedhor hasi në disa parregullsi që ndodhën fillimisht në Prizren, ku kishte dallime të mëdha në vota tek kandidatët për deputetë, për të kaluar më pas edhe tek komunat si Drenasi dhe Malisheva – andaj të gjitha komunat shkuan në rinumërim.

Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot (30 janar) pritet që ky proces të përfundojë.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime”, tha ai.

Elezi shtoi më tutje: “Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komunave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”.

Kjo është dita e 18-të e rinumërimit të votave, derisa pritet që Kosova të ketë Qeveri në muajin shkurt.

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me 51.10 për qind, që në total i bie që kanë siguruar 57 ulëse në Kuvend. /Telegrafi/