Please enter at least 3 characters.

Eksperti i gjykimit flet për golin e anuluar të Egjiptit që shkaktoi polemika

Eksperti i gjykimit, Alfonso Burrull, ka kritikuar vendimin e gjyqtarit François Letexier për të anuluar golin e dytë të Egjiptit në ndeshjen ndaj Argjentinës në Kupën e Botës.

Egjipti dukej se kishte dyfishuar avantazhin ndaj kampionëve në fuqi pas një aksioni të shpejtë dhe një përfundimi të shkëlqyer nga Mostafa Ziko, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi u konsiderua se kishte pasur faull ndaj mbrojtësit argjentinas Lisandro Martínez në fillim të aksionit.

Vendimi shkaktoi shumë diskutime, ndërsa Burrull nuk e kuptoi ndërhyrjen e gjyqtarit.

“Ky është një aksion që nuk ka ndikim të mjaftueshëm në gol. Në një lojë ku topi kalon gjithë fushën dhe pas disa sekondash vjen goli, të rikthehesh kaq shumë pas për një kontakt të tillë nuk më duket proporcionale”, deklaroi ai.

Sipas ish-gjyqtarit, kontakti ndaj Martínez nuk ishte aq i qartë sa për të ndryshuar vendimin nëpërmjet VAR-it.

“Nuk është një gabim i dukshëm, i qartë apo i rëndë. Nëse gjyqtari do ta kishte ndalur lojën në atë moment dhe do ta kishte dhënë faullin, do të ishte një vendim i pranueshëm, por pasi loja vazhdoi, nuk kishte arsye të kthehej pas për ta anuluar golin”, shtoi Burrull.

Ndeshja mes Argjentinës dhe Egjiptit u shoqërua me shumë momente dramatike, përfshirë një penallti të humbur nga Lionel Messi, por edhe me një debat të madh rreth vendimeve të arbitrimit. Argjentina kalon tutje pas fitores me rezultat 3-2 ndaj Egjiptit. /Telegrafi/