Please enter at least 3 characters.

Eksperti i fitnesit Arbër Peci: 10 km në shirit nuk janë njësoj si 10 km në natyrë!

Vrapimi në shirit aktivizon më pak muskujt stabilizues dhe e ngarkon trupin ndryshe nga vrapimi në natyrë, prandaj rekomandohet kombinimi i të dyjave për forcë, qëndrueshmëri dhe më pak rrezik lëndimesh

Shpesh vijnë njerëz në palestër e më thonë me mburrje: “Sot i bëra 10 kilometra në shirit!”. Është për t’u lavdëruar, pa diskutim. Por, kur i njëjti person del të vrapojë në Gërmi a në ndonjë park tjetër, ankohet se pas 3 kilometrave i janë “këputur” këmbët. Pse ndodh kjo? A nuk është vrapimi i njëjtë kudo?

E vërteta është që jo. Vrapimi në shirit dhe ai në natyrë janë dy botë krejtësisht të ndryshme për trupin tonë.

Kur vrapon në natyrë, je ti ai që po e shtyn trupin përpara. Çdo hap kërkon forcë. Për ta bërë këtë, trupi yt aktivizon fuqishëm muskujt e pasmë të kofshës dhe të pasmet. Këta janë “motorët” e tu kryesorë.

Po çfarë ndodh në shirit? Rripi i motorizuar po rrotullohet vetë. Në momentin që e vendos këmbën, rripi ta tërheq atë mbrapa për ty. Pra, makineria po e bën gjysmën e punës! Për shkak të kësaj ndihme artificiale, muskujt e pasmë të kofshës dhe të pasmet angazhohen shumë pak. Nëse vrapon veç në shirit, këta muskuj mbesin të pazhvilluar dhe të dobët në krahasim me pjesën e përparme të këmbës.

Ka edhe një problem tjetër, ndoshta edhe më të rrezikshëm. Sipërfaqja e shiritit është krejtësisht e rrafshët dhe e parashikueshme. Çdo hap është identik me tjetrin. Kjo bën që muskujt e vegjël stabilizues rreth kyçeve të këmbëve të “bien në gjumë”. Ata nuk kanë nevojë të përshtaten me kurrgjë, prandaj me kalimin e kohës dobësohen shumë.

Tash imagjino çfarë ndodh kur ky person, me stabilizues të dobësuar, del të vrapojë në natyrë. Terreni i pabarabartë, ndonjë guralec, pak bar a një gropë e vogël, të gjitha këto kërkojnë reagim të shpejtë prej kyçeve. Stabilizuesit e dobët nuk e përballojnë dot këtë ngarkesë të papritur. Rezultati? Je shumë më i prirur ndaj ndrydhjeve a lëndimeve të rënda të kyçit të këmbës.

Nuk po them që shiriti është i keq. Është fantastik kur bie shi, kur është ftohtë, a kur thjesht do të djersitesh pak. Por, nëse do këmbë të forta, muskuj të zhvilluar në mënyrë të barabartë dhe kyçe që nuk të lënë në baltë, duhet patjetër të dalësh në natyrë. Kombinoji të dyja, por mos mendo kurrë se kilometrat në palestër vlejnë njësoj si ato në natyrë. /Telegrafi/