Ecja simbolike në parkun e Blinajës, rikthim te trauma e të mbijetuarve
Mjegulla që mbuloi parkun e Blinajës të shtunën është simbolikë e dhimbjes së përjetuar nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe simbol i dëshmisë se as mali nuk ka qenë vend i sigurt.
Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës, vazhdon thirrjen për të gjithë.
As trajtimi e as njohja ligjore as drejtësia nuk duhet të afatizohet pasi shumë vajza dhe gra duhet ta kenë momentin e caktuar në familje kur e marrin guximin të flasin dhe kërkojnë ndihmë.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, theksoi se shumë gra e vajza ende nuk e gjejnë guximin të kërkojnë ndihmë.
"I kemi zgjedhë malet për faktin se përveç bukurisë e qetësisë që e ka parku Blinaja mendojmë që shumë herë këto gra janë detyruar t'i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe janë detyruar të kalojnë nëpër male nëpër fusha por fatkeqësisht edhe aty se kanë pas qetësinë, nganjëherë mali ka qenë dëshmitar i dhunës së tyre , ato ende nuk kanë arritë me fole për krimet që janë ushtruar në trupin e pafajshëm të tyre", ka thënë ajo.
Në mbështetje të tyre dhe me vlerësimin se Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe në mbështetjen e të mbijetuarve, ambasadori i Britanisë në Kosovë u bashkua në këtë ecje teksa tha se tubimi shërben për të reflektuar si mbi progresin, ashtu edhe mbi sfidat emocionale e shoqërore me të cilat të mbijetuarit ende përballen
“Ky vend ka bërë tashmë një rrugë shumë të gjatë. Ka edhe shumë për të bërë. Ka ende shumë njerëz të tjerë që e dimë se janë aty, të cilët ende nuk kanë mundur ta diskutojnë këtë, e sigurisht jo ta bëjnë publike, prandaj mbështetja që u jepet atyre është gjithnjë e më e rëndësishme. Dhe unë me të vërtetë shpresoj dhe sot po mendojmë veçanërisht për faktin se u takon të mbijetuarve të vendosin se kur është koha e duhur për ta që të dalin hapur dhe të kërkojnë të drejtat e tyre që të jetë e mundur të zgjatet afati brenda të cilit ata mund të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, në momentin që është i duhuri për ta. Prandaj është e mrekullueshme që jemi të gjithë këtu bashkë duke festuar”, ka thënë ambasadori Jonathan Hargreaves.
Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë nënvizoi se procesi i shërimit të viktimave të dhunës seksuale është i gjatë dhe i mbingarkuar me traumë, ndaj theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme.
“Mendoj se Kosova dhe Bosnja-Hercegovina janë vende ku i është kushtuar më shumë vëmendje, ndoshta me vonesë, por megjithatë për t’u siguruar që njerëzit të kenë mundësi të marrin mbështetje. Sigurisht, këtu një meritë të madhe kanë KCRT dhe organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë mbështetje psikologjike, sociale dhe financiare për viktimat. Mendoj se drejtësia është diçka e rëndësishme për të gjithë. Të jesh në gjendje të gjesh të dashurit e tu dhe t’i përcjellësh me nderim është gjithashtu e rëndësishme për të gjithë”, ka thënë Mary Ann Hennesey.
Statistika të organizatave të ndryshme pas tregojnë për 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës në Kosovë. Afati për aplikim për njohje të këtij statusi është zgjatur deri më 15 maj të vitit 2027.


