E rrahu partneren shtatzënë deri në humbje ndjenjash: Një gjykatë në Zvicër e dënon me 44 muaj burg kosovarin dhe e dëbon nga vendi për 8 vjet
Gjykata Kantonale e St. Gallenit në Zvicrën Lindore ka ashpërsuar dënimin ndaj një kosovari nga rajoni i Wilit, i cili akuzohej për dhunë ndaj partneres së tij shtatzënë.
Siç raporton gazeta zvicerane “St. Galler Tagblatt”, gjykata e shpalli atë fajtor për tentativë të ndërprerjes së dhunshme të shtatzënisë, tentativë për lëndim të rëndë trupor, privim të lirisë, kërcënim dhe një sërë veprash të tjera penale, duke e dënuar me 44 muaj burgim.
Përveç dënimit me burgim, gjykata vendosi gjithashtu dëbimin e tij nga territori i Zvicrës për një periudhë 8-vjeçare, si dhe rriti dukshëm shumën e dëmshpërblimit financiar që ai detyrohet t'i paguajë viktimës.
Seanca e apelit u mbajt pa praninë e të akuzuarit. Përmes avokatit të tij, ai njoftoi trupin gjykues se ndodhej në vendlindjen e prindërve të tij, në Kosovë, duke kërkuar pafajësi për akuzat kryesore. Megjithatë, Gjykata Kantonale i hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes dhe u rreshtua plotësisht me prokurorinë.
Ngjarja e rëndë lidhet me dhunën e ushtruar ndaj partneres së tij, e cila në atë kohë ishte në javën e nëntë të shtatzënisë. I shtyrë nga xhelozia, ai e kishte sharë, pështyrë, shtrënguar në fyt deri në humbje të vetëdijes dhe e kishte goditur në kokë. Më pas, ai e kishte goditur me grushte direkte në bark me qëllimin e qartë për t'ia ndërprerë shtatzëninë.
Vendimi për dëbimin prej 8 vitesh u mor edhe pse i dënuari ka lindur në Zvicër.
Prokurori e arsyetoi këtë masë me faktin se ai nuk kishte treguar asnjë interes për fëmijën e tij pas lindjes, duke mos u përpjekur kurrë ta shohë apo të paguajë qoftë edhe një frangë të vetme për rritjen e tij.
Përveç burgut dhe dëbimit, ndaj tij u caktua edhe një gjobë financiare si dhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik./Telegrafi/


