E papritur! Talebanët i bëjnë thirrje SHBA-së të rikthehet në Afganistan
Pesë vjet pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, Talebanët po i bëjnë thirrje Uashingtonit të rikthehet në vend, këtë herë jo me trupa ushtarake, por me diplomaci dhe investime.
Ministri i Jashtëm i administratës talebane, Amir Khan Muttaqi, tha se SHBA-ja mund të rihapë ambasadën në Kabul dhe të investojë në ekonominë afgane.
Sipas Muttaqit, investimet amerikane mund të përfshijnë sektorin minerar, ndërtimin e digave dhe rrugëve, shkruan newyorktimes.
Ai ka bërë të qartë se kthimi i trupave amerikane nuk është pjesë e propozimit, duke theksuar se afganët nuk do të pranonin një prani të huaj ushtarake.
Thirrja vjen në një kohë kur Talebanët po përpiqen të zgjerojnë lidhjet diplomatike dhe ekonomike me vendet e tjera. Rusia është bërë vendi i parë që e ka njohur zyrtarisht qeverinë talebane, ndërsa Kina, Irani, India dhe vende të tjera kanë rritur kontaktet me Kabulin.
Megjithatë, regjimi taleban vazhdon të jetë i izoluar në masë të madhe ndërkombëtarisht. Vetëm Rusia e njeh zyrtarisht, ndërsa kufizimet ndaj grave dhe vajzave, përfshirë ndalimin e arsimit dhe kufizimet në punësim, mbeten ndër çështjet kryesore që pengojnë normalizimin e marrëdhënieve me Perëndimin.
Kërkesa për investime amerikane lidhet edhe me pasuritë minerare të Afganistanit, të cilat mund të jenë tërheqëse për administratën e presidentit, Donald Trumpit. Megjithatë, përpjekjet e mëparshme amerikane për zhvillimin e sektorit minerar afgan nuk sollën rezultatet e pritshme.
Në thelb, Kabuli po kërkon që ish-armiku i tij të rikthehet me kapital dhe marrëdhënie diplomatike, ndërsa Talebanët përpiqen të dalin nga izolimi ndërkombëtar dhe të sigurojnë investime të huaja për ekonominë e vendit. /Telegrafi/


