E gjeti të pajetë në shtëpi, partnerja e Serhat Kiliç reagon për herë të parë pas tragjedisë
Vdekja e papritur e aktorit turk Serhat Kiliç, në moshën 51-vjeçare, ka tronditur botën e artit në Turqi.
Pas lajmit të rëndë, partnerja e tij, Ozlem Esmergul, ka bërë postimin e parë publik, duke ndarë fjalë prekëse për lidhjen e tyre dhe humbjen e aktorit.
Kiliç, një prej emrave të njohur të televizionit dhe teatrit turk, u gjet pa shenja jete në banesën e tij në lagjen Nurtepe të Kagithane, në Stamboll, më 5 shtator.
Esmergul ishte shqetësuar pasi nuk kishte mundur të kontaktonte me të që prej së enjtes dhe shkoi në shtëpinë e tij.
Pasi nuk mori përgjigje, ajo hyri me çelësin e saj dhe e gjeti aktorin të ulur pa lëvizur në një kolltuk në dhomën e ndenjes.
Menjëherë ajo telefonoi Shërbimin e Emergjencës 112, ndërsa ekipet mjekësore konstatuan vdekjen e tij.
Pas ndërhyrjes së policisë dhe këqyrjes së banesës, trupi i Kiliç u dërgua në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Për ngjarjen ka nisur edhe një hetim. Në deklaratën e saj para policisë, Esmergul raportohet të ketë thënë se aktori vuante nga limfoma, megjithatë shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.
Lajmi shkaktoi reagime të shumta në botën e artit, ndërsa miq dhe kolegë të aktorit shkuan në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Mes tyre ishte edhe Şoray Uzun, me të cilin Kiliç kishte bashkëpunuar për rreth 10 vjet në serialin “Seksenler”.
Serhat Kılıç ishte veçanërisht i njohur për publikun për rolin e Ergun Plak në serialin “Sek Senler”, ndërsa gjatë karrierës së tij u shfaq edhe në projekte si “Hatırla Sevgili”, “Ezel”, “Merhamet”, “Söz”, “Maraşlı” dhe “Tetikçinin Oğlu”. Krahas televizionit, ai i kushtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës edhe teatrit.
Ndërkohë, pas vdekjes së tij kanë qarkulluar pretendime të ndryshme në rrjetet sociale lidhur me shkakun e ndarjes nga jeta.
Soray Uzun ka reaguar ndaj këtyre publikimeve, duke kërkuar që supozimet të mos paraqiten si fakte përpara se të dalë rezultati zyrtar i hetimeve.
Në mes të gjithë kësaj dhimbjeje, Ozlem Esmergul ka zgjedhur të flasë publikisht për herë të parë që nga humbja e partnerit të saj, duke ndarë me ndjekësit një mesazh prekës për dashurinë dhe kujtimet që la pas Kiliç. /Telegrafi/


