“Duhej të shkonte në spital”, Arne Slot konfirmon lëndimin e madh pas fitores në derbin ndaj Evertonit
Liverpool po përballet me një tjetër goditje të rëndë në këtë sezon, pasi portieri Giorgi Mamardashvili përfundoi në spital pas lëndimit të pësuar në derbin ndaj Everton.
Trajneri Arne Slot konfirmoi se gardiani gjeorgjian mori një goditje të fortë në gju gjatë momentit të golit të barazimit nga Beto, duke u detyruar të largohet nga fusha me barelë.
“Giorgi shkoi në spital për shkak të një plage të madhe, kështu që do të shohim si do të jetë gjendja e tij”, u shpreh Slot.
Në mungesë edhe të portierit titullar Alisson Becker, i cili është i lënduar, Liverpool u detyrua të aktivizojë Freddie Woodman, që luajti minutat e para në Ligën Premier pas disa vitesh.
Slot vlerësoi paraqitjen e tij: “Freddie meriton shumë vlerësim – hyri menjëherë pas golit të barazimit dhe bëri një punë shumë të mirë”.
Pamjet e largimit të Mamardashvilit shqetësuan tifozët, sidomos pas rastit të fundit me sulmuesin Hugo Ekitike, që i dha fund sezonit.
Megjithatë, deri tani nuk ka indikacione që dëmtimi i portierit është aq i rëndë. Ai ka pësuar një goditje të fortë në gju dhe mbetet për t’u parë sa kohë do të qëndrojë jashtë fushave.
Liverpool rikthehet në aksion këtë fundjavë ndaj Crystal Palace, në një ndeshje me rëndësi të madhe për objektivat e të dy skuadrave.
Aktualisht, Woodman mbetet i vetmi portier i gatshëm për ekipin, ndërsa Slot bëri edhe një koment me humor për situatën:
“Në një sezon si ky, edhe nëse luan me moshat U-8 te Liverpool, duhet të jesh gati për debutim – është e pabesueshme çfarë po na ndodh”./Telegrafi/


