'Dua që ai të qëndrojë' - Van Dijk reagon ndaj transferimit prej 125 milionë eurosh te Barcola dhe bën një lutje për Gakpon
Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka komentuar transferimin e pritshëm të Bradley Barcolës te “Reds”, ndërsa ka bërë të qartë dëshirën e tij që Cody Gakpo të refuzojë interesimin e Manchester Cityt dhe të qëndrojë në “Anfield”.
Barcola po i nënshtrohet testeve mjekësore këtë të diel, përpara se të finalizojë transferimin nga Paris Saint-Germain, në një marrëveshje që mund të arrijë deri në 123 milionë paund.
Sulmuesi francez pritet të firmosë një kontratë pesëvjeçare dhe, nëse gjithçka përfundon sipas planit, do të bëhet transferimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e Liverpoolit, pas Alexander Isak.
Van Dijk, i cili e ka përballuar më parë Barcolan në fushë me fanellën e Liverpoolit, beson se 23-vjeçari do t’i bashkohej një prej destinacioneve më tërheqëse në futbollin botëror.
“Është një lojtar i mirë, kjo është e vetmja gjë që mund të them. Nuk mendoj se ka dyshim që një klub si Liverpooli është shumë tërheqës për lojtarë të nivelit të lartë. Ky është një nga klubet më të mëdha në botë”, deklaroi Van Dijk pas barazimit 2-2 ndaj Nottingham Forest.
“E dimë të gjithë se po kalojmë në një periudhë tranzicioni. Ose dëshiron të jesh pjesë e kësaj, ose jo. Merkatoja është e hapur deri të martën, apo jo? Le të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Duke folur për cilësitë e Barcolës, Van Dijk shtoi: “Është një lojtar me shumë shpejtësi. Më kujtohet një gol që shënoi ndaj Chelseat. Nëse vjen këtu, do të mirëpritet me krahë hapur. Derisa të bëhet zyrtare, nuk ka kuptim të flasim shumë për këtë”.
Kapiteni i Liverpoolit theksoi gjithashtu rëndësinë e konkurrencës për një vend në formacion, ndërsa skuadra synon të ndërtojë një grup më të fortë nën drejtimin e trajnerit të ri, Andoni Iraola.
“Duhet të vazhdojmë ta shtyjmë njëri-tjetrin përpara. Trajneri tha para ndeshjes se çfarë kërkon nga treshja apo katërshja e sulmit: të japin gjithçka dhe, nëse duhet të fusim një lojtar tjetër për ta përfunduar punën, ai duhet ta bëjë këtë. Na duhen të gjithë për të qenë të suksesshëm”.
“Kur shton cilësi në skuadër, gjithmonë bën diferencën. Le të shohim se çfarë do të sjellin ditët e ardhshme. Pas së martës duhet të luftojmë për gjithçka dhe të mos kemi pendesa”.
Van Dijk foli edhe për problemet që Liverpooli duhet të korrigjojë pas barazimit me Nottingham Forest.
“Duhet të shënojmë më shumë, të pësojmë më pak dhe të dominojmë më shumë, si me topin ashtu edhe pa të. Nottingham Forest ka ardhur këtu në tri sezonet e fundit dhe ka mbetur i pamposhtur”.
“Kjo nuk duhet të ndodhë. Në të gjitha vitet që kam qenë në klub, kjo nuk kishte ndodhur. Është detyra jonë të sigurohemi që të jemi një njësi e vetme – çdo anëtar i skuadrës së bashku me tifozët tanë”.
“Duhet pak kohë. Të gjithë duam që gjithçka të funksionojë sa më shpejt dhe për 90 minuta. Në dy ndeshje radhazi na është dashur të rikthehemi në rezultat. Është një shenjë e mirë që kemi reaguar, por mund të bëjmë shumë më mirë. Është një proces dhe po punojmë për të”.
Megjithatë, deklarata më e qartë e Van Dijk erdhi kur u pyet për të ardhmen e Cody Gakpos.
Manchester City raportohet se është në bisedime për një transferim të holandezit, në një marrëveshje që mund të arrijë rreth 85 milionë paund.
Kapiteni i Liverpoolit nuk e fshehu dëshirën që bashkëkombësi i tij të qëndrojë në “Anfield”.
“Çfarë mendoni ju? Ai është një lojtar cilësor. Mendoj se duhet t’i mbajmë lojtarët cilësorë”.
“Le të shohim se çfarë do të sjellin ditët e ardhshme. Unë dua që ai të qëndrojë, jo vetëm sepse është një lojtar cilësor, por edhe sepse është mik i imi. Ai është shumë i rëndësishëm për ne”, përfundoi Van Dijk. /Telegrafi/


