Please enter at least 3 characters.

Dua Lipa ndihmon mjekët ukrainas të sigurojnë një 'pickup' për evakuime në zonën e luftës

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka mbështetur një nismë bamirësie që ka ndihmuar mjekët ushtarakë ukrainas të sigurojnë një automjet pickup, i cili do të përdoret për evakuime dhe misione në zonat e luftës.

Sipas materialit të publikuar, automjeti i është dorëzuar Batalionit të Parë të Veçantë Mjekësor, falë një fushate grumbullimi fondesh ku u përfshi edhe mbështetja e artistes.

Mjeti pritet të shërbejë në operacione emergjente, duke ndihmuar ekipet mjekësore të lëvizin më shpejt dhe më sigurt në terren, sidomos gjatë evakuimit të të plagosurve.

Fondet janë mbledhur gjatë një eventi bamirësie të organizuar nga Service95, platforma e themeluar nga Dua Lipa. Më pas, paratë janë transferuar te Driving Ukraine, një organizatë që merret me përshtatjen dhe modifikimin e automjeteve për nevojat e mjekëve dhe të ushtrisë në Ukrainë.

Në një reagim në Instagram, pjesëtarë të njësisë mjekësore e kanë përshkruar ndihmën si një surprizë pozitive, duke shkruar: “Shanset që Dua Lipa të ndihmonte në ngritjen e fondeve për një automjet për njësinë tonë nuk ishin të mëdha… por nuk ishin asnjëherë zero”.

Nisma vjen në vazhdën e aktiviteteve të ndryshme humanitare që synojnë të mbështesin shërbimet emergjente në Ukrainë, në një kohë kur nevojat në terren mbeten të larta. /Telegrafi/