Please enter at least 3 characters.

Drejtori i Arsimit në Prishtinë nis aksion në shkolla për evidentimin e mungesave të nxënësve

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes ka angazhuar stafin e kësaj drejtorie për të ndërmarrë një aksion në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit, me qëllim evidentimin e mungesave të nxënësve dhe masave që po merren nga shkollat.

“Sot qysh në mëngjes kam angazhuar stafin e Drejtorisë së Arsimit, për të ndërmarrë një aksion të gjerë në shkollat fillore e të mesme të Kryeqytetit për evidentimin e mungesave të nxënësve dhe masave që po merren nga shkollat”, ka shkruar Shahini.

Ai ka vlerësuar se të dhënat janë shqetësuese dhe se mungesat e paarsyeshme, sipas tij, sinjalizojnë probleme më të thella.

“Shifrat që po shohim janë shqetësuese. Mungesat e paarsyeshme nuk janë vetëm orë të humbura mësimi — ato janë një sinjal për probleme më të thella dhe një rrezik real për zhvillimin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka theksuar ai.

Shahini ka ngritur edhe pyetje për vendndodhjen e nxënësve gjatë kohës së mësimit dhe rolin e prindërve e shkollave në reagimin ndaj kësaj dukurie.

“Kur nxënësit nuk janë në shkollë, ku janë? A janë prindërit në dijeni? A po reagojnë shkollat me kohë dhe me seriozitet?”, ka shkruar ai.

Duke iu referuar raportimeve në nivel vendi, Shahini ka thënë se “flitet për rreth 4 milion mungesa në një gjysmëvjetor”, ndërsa “prej tyre afro 1 milion të paarsyeshme”, duke e cilësuar këtë si alarm për reagim të menjëhershëm.

“Kjo nuk mund të trajtohet si statistikë — është një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm”, ka shtuar ai.

Ai ka deklaruar se zgjidhja nuk është e njëanshme dhe se përfshirja e prindërve është thelbësore, duke paralajmëruar intensifikim të komunikimit dhe hapa konkretë në ditët në vijim.

“Prindërit janë partnerë kyç dhe pa përfshirjen e tyre nuk mund të ketë ndryshim real. Në ditët në vijim do të intensifikojmë komunikimin me ta dhe do të ndërmarrim hapa konkretë, që mungesa të tilla të mos kalojnë pa përgjegjësi”, ka shkruar Shahini. /Telegrafi/