Dogana ndalon produkte kozmetike të padeklaruara në Merdarë
Një sasi e konsiderueshme produktesh kozmetike të padeklaruara është bllokuar sot në pikën kufitare Merdarë, gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti nga zyrtarët doganorë.
Për këto produkte nuk është paraqitur asnjë dokumentacion përcjellës, ndërsa vlera e përgjithshme e mallrave të identifikuara vlerësohet të jetë rreth 1,600 euro, përcjell Telegrafi.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizës së Kosovës.
Dogana e Kosovës ka theksuar se vazhdon angazhimin për të parandaluar hyrjen e produkteve të pasigurta dhe të padeklaruara në treg, duke siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e konsumatorëve. /Telegrafi/


