Please enter at least 3 characters.

Dodik paralajmëron shpalljen e pavarësisë së Republikës Serbe

Kryetari i SNSD-së, Milorad Dodik, në Banja Llukë ka kërcënuar sërish se do të shpallë pavarësinë e entitetit të Republikës Serbe në rast se përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt vendos ligjin për pronën shtetërore.

Siç ka thënë edhe më parë, shpallja e pavarësisë së këtij entiteti do të ndodhë menjëherë nëse Schmidt ndërmerr këtë hap.

“Nëse Schmidt vendos ligjin për pronën shtetërore, në të njëjtin moment do të merret vendimi për pavarësinë e RS-së”, tha Dodik.

Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin se vendimet e marra nga Schmidt gjatë mandatit të tij duhet të anulohen, raporton klix.ba.

“Nuk do të lejojmë që më askush të merret me ne në këtë mënyrë. Vendimet e Schmidtit duhet të anulohen. Kur kjo të përfundojë, Republika Serbe është e gatshme për bisedime dhe marrëveshje në Bosnje dhe Hercegovinë. Para kësaj nuk do të bisedojmë”, tha ish-presidenti i RS-së.

Ai vazhdoi me retorikën e tij për “tradhtinë” e serbëve që identifikohen me Bosnje dhe Hercegovinën, duke vazhduar gjithashtu me fyerje ndaj shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Nuk mund të mbijetojë një Bosnje dhe Hercegovinë e tillë e shtrembëruar, anti-dejtoniane, ku nuk ka asgjë nga ajo që shkruan në Kushtetutë”, tha Dodik.

Opozitën në RS e quajti “mbeturina”, duke thënë se ajo, së bashku me “politikanët myslimanë” dhe bashkësinë ndërkombëtare, do të tentojë të shfuqizojë këtë entitet.

“Bosnja dhe Hercegovina sot është një Frankenstein për popullin serb që nuk mund të sjellë asgjë të mirë për serbët. Sa më gjatë të qëndrojmë në BiH, aq më keq do të jetë për ne”, shtoi ai.

RS, sipas tij, nuk do të hyjë në konflikt ushtarak, por shprehu shpresën se “bota e civilizuar, pas trazirave globale, do të krijojë kushte për të siguruar të drejtën e vetëvendosjes së popujve”, megjithëse një e drejtë e tillë nuk ekziston në kontekstin e RS-së.

“Duhet të bashkohemi rreth kësaj ideje. Nuk ka asnjë shenjë optimiste për qëndrimin tonë të mëtejshëm në BiH. Bosnja dhe Hercegovina ka qenë një eksperiment ku është ndalur zhvillimi i RS-së dhe të gjitha projekteve të saj”, përfundoi Dodik. /Telegrafi/