“Do t’ia kthejmë borxhin Prishtinës”
“Minatorët” dje në ‘Bajram Aliu’ mundën Drenicën më rezultat 1-3, duke i ikur zonës së rrezikshme në renditjen tabelore.
Tekniku i Trepçës ’89, të dielën i ka thënë KosovaPress-it se fitorja e skuadrës së tij kundër Drenicës, ka rikthyer besimin në ekipin e tij. Ai mendon se pikët e fituar në duel me Drenicën janë shumë të rëndësishme, por sipas tij, kjo nuk do të thotë se është siguruar mbijetesa në elitën e futbollit.
“Jam i kënaqur me lojën që kemi zhvilluar kundër Drenicës, ku në këtë takim në radhët tona janë paraqitur gjashtë lojtar të rinj. Loja e skuadrës sonë ka qenë mjaft e mirë dhe mendoj se fitorja ishte rezultati më i drejtë. Ne pas tri paraqitje jo të mira, treguam se jemi të aftë tu kthehemi fitoreve dhe këtë e bëmë ndaj Drenicës”, ka thënë Duraku.
“Këto tri pikë për ne janë shumë të rëndësishme për tu ngjitur në pjesën e epërme të tabelës, por kjo nuk do të thotë se ne e kemi siguruar ekzistencën, sepse futbolli i Kosovës është shumë interesante, sidomos në pjesën pranverore dhe kurrë nuk i dihet. Fitorja kundër Drenicës ka rikthyer besimin e madh tek skuadra jonë. Tani ne kemi hyrë në ciklin e fitoreve dhe duam të vazhdojmë këtë seri edhe në ndeshjen e ardhshëm që e luajmë kundër Prishtinës”, tha ai.
Trepça ’89 duelin e radhës do ta luajë kundër Prishtinës, sfidë kjo që llogaritët një nga derbit me të mëdhenj në futbollin tonë. I pari i bankinës së mitrovicasve, thotë se të përzgjedhurit e tij do të kërkojnë pikët e plota kundër Prishtinës. Duraku pohon se do tu hakmerren prishtinasve për humbjen e pësuar në ndeshjen e kaluar.
“Me Prishtinën do të jetë derbi i madhe, sepse çdo herë përballjet me Prishtinën janë të vështira dhe luhen me rivalitet të madhe. Ne synojmë që ta mposhtim Prishtinën dhe t’ia kthejmë borxhin Prishtinës për humbjen e pësuar në ndeshjen e kaluar”, ka theksuar Duraku.
Ai është i bindur se skuadra e tij është e aftë të mposht Prishtinën. /KP/Telegrafi/


