Please enter at least 3 characters.

"Do të më ndihmojë të jem një kapiten më i mirë" - Valverde për përballjen me Tchouameni

Ylli i Real Madridit, Federico Valverde, ka folur për incidentin e raportuar në stërvitje me bashkëlojtarin Aurélien Tchouameni, duke pranuar se ishte një moment i vështirë, por që – sipas tij – mund t’i shërbejë si mësim për të ardhmen.

Mesfushori uruguaian, i cili i është bashkuar kombëtares së Uruguait në përgatitjet për Kupën e Botës 2026, shprehu gjithashtu mirënjohje për tifozët e Real Madridit për mënyrën se si e kanë mbështetur në këtë periudhë.

Valverde u ndal te periudha e trazuar në qendrën stërvitore të Realit në Valdebebas, pas përplasjes fizike me Tchouamenin, incident që u përfol gjerësisht në media. Sipas raportimeve, gjatë debatit të nxehur, Valverde pësoi një lëndim në kokë, duke kërkuar ndihmë mjekësore.

“Ndonjëherë duhet të kalosh pengesa për të mësuar”

Me të mbërritur në grumbullimin e kombëtares, ai u shfaq optimist në deklarimin e tij për media.

“Ndihem shumë mirë. Pata mbështetjen dhe dashurinë e të gjithë tifozëve të Real Madridit, si dhe të vetë klubit. Ndonjëherë në futboll dhe në jetë duhet të kalosh nëpër këto pengesa të vogla për të mësuar të rritesh dhe të piqesh”, tha Valverde.

Edhe pse Valverde u përpoq ta ulë tonin, incidenti – sipas raportimeve – pati pasoja edhe brenda klubit. Drejtuesit e Real Madridit e konsideruan përplasjen si shkelje serioze të profesionalizmit dhe nisën procedura disiplinore ndaj të dy lojtarëve.

Raportohet se të dy janë gjobitur me nga 500 mijë euro, por pa u pezulluar nga aktiviteti.

27-vjeçari beson se përvoja do t’i shërbejë në planin afatgjatë, sidomos në aspektin e lidershipit.

“Unë besoj se kjo përvojë do të më ndihmojë të jem një kapiten më i mirë në vitet që vijnë”, deklaroi Valverde, duke kujtuar edhe se më herët kishte kërkuar falje dhe kishte pranuar se lodhja dhe frustrimi i një sezoni pa trofe kishin ndikuar në përshkallëzimin e situatës.

Fokus te Botërori 2026 me Uruguain

Valverde tani thotë se është i përqendruar plotësisht te kombëtarja e Uruguait nën drejtimin e Marcelo Bielsa, me objektiv të madh Botërorin 2026.

“Mendimi për të ngritur një trofe më emocionon gjithmonë. Është ajo që dëshiron më shumë, ajo që ëndërron si fëmijë: të luash për ekipin kombëtar dhe të ngresh trofeun e Kupës së Botës”, theksoi ai.

Ai shtoi se Uruguai dëshiron ta rikrijojë frymën e suksesit të vitit 2010, kur arriti në gjysmëfinale: “Ne u rritëm me atë imazh dhe do të donim ta përsërisnim atë, për ta bërë Uruguain krenar”.