"Do ta përqafoj edhe më fort besimin tim islam", kandidati për kryetar të New Yorkut me lot në sy
Zohran Mamdani, kandidati demokrat për kryetar bashkie të New Yorkut, premtoi se do ta përqafojë identitetin e tij mysliman edhe më fort në përgjigje të sulmeve gjithnjë e më të shpeshta nga ish-guvernatori Andrew Cuomo dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilat ai i përshkroi si "raciste dhe të pabaza", shkruan Associated Press .
I rrethuar nga udhëheqës fetarë jashtë një xhamie në Bronx, Mamdani foli në një fjalim emocional rreth "poshtërimit" me të cilin është përballur prej kohësh popullsia myslimane e qytetit.
Duke mbajtur lotët, ai përshkroi vendimin e hallës së tij për të ndaluar udhëtimin me metro pas sulmeve të 11 shtatorit, sepse nuk ndihej e sigurt duke mbajtur një shami.
Ai gjithashtu kujtoi se si, në fillim të karrierës së tij politike, xhaxhai i tij e kishte këshilluar ta mbante besimin për vete.
"Këto janë mësime që shumë myslimanë të New Yorkut i kanë mësuar", tha Mamdani.
"Dhe gjatë këtyre ditëve të fundit, këto mësime janë bërë mesazhet përmbyllëse të Andrew Cuomo, Curtis Sliwa dhe Eric Adams", shtoi ai, duke iu referuar rivalëve të tij politikë.
Zohran Mamdani fights tears as he talks about his aunt: "My aunt stopped taking the subway after 9/11 because she did not feel safe in her hijab."
3,000 people died on 9/11. @DailyCallerpic.twitter.com/96nOEq7f1E
— Nicole Silverio (@NicoleMSilverio) October 24, 2025
Bëhet e ditur se gjatë gjithë garës, Mamdani, i cili e deklaron veten socialist demokrat, ka qenë cak i kritikave nga Cuomo dhe të tjerë për pikëpamjet e tij ndaj qeverisë izraelite, të cilën e ka akuzuar për gjenocid kundër palestinezëve në Gaza.
Megjithatë, toni i sulmeve është intensifikuar ditët e fundit, duke bërë që disa demokratë të akuzojnë fushatën e Cuomos për përdorimin e islamofobisë në fushatë. /Telegrafi/


