Djali i Argjentinës
I vetëdijshëm se njeriu për të cilin do të shkruaj është i pazakontë, më lejoni që shkrimin ta filloj në një mënyrë krejt të pazakontë. Ta konsiderojmë këtë si një përrallë.
Përralla bën fjalë për një djalë që quhej Diego. Ishte futbollist. Dhe në një ndeshje në mes të “juniorëve”, Diego e merr topin dhe i kalon të gjithë lojtarët kundërshtarë. Pastaj Diego kalon edhe portierin. Megjithatë, në golin e zbrazur nuk shënon, kthehet prapa dhe vazhdon të “luajë” me lojtarët kundërshtarë. E ata kurrsesi t’ia merrnin topin.
Jo vetëm kundërshtarët, por edhe bashkëlojtarët u nervozuan. Dhe këtu përralla bëhet edhe më e bukur, kur shtojmë faktin se edhe shokët e skuadrës së tij fillojnë të provojnë t’ia marrin topin. Ishin 20 veta që vraponin pas Diegos. E topin nuk e morën dot.
Diego e mbante më shumë dashuri topin në këmbë. Me të njëjtën dashuri siç do ta mbajë Argjentina Diegon në zemër! E, në fakt, vjeshta e vitit 1960 e gjen Argjentinën si kurrë më parë të trazuar.
E mbytur në varfëri dhe konfuzitet, Argjentina ishte në prag të luftës civile. E, megjithatë, ajo prapë ishte e bukur. Atëbotë identifikohej edhe si Argjentina e Eva Peronit. Derisa gjeneralë e politikanë argjentinas dita-ditës mundoheshin ta rrëzonin njëri-tjetrin nga pushteti, imazhi i Argjentinës kishte rënë dukshëm. Dhe nëse në fillim konsiderohej si një vrimë e zezë në Amerikën Latine, me kohë Argjentina filloi të harrohej krejtësisht nga pjesa tjetër e botës.
Por… pikërisht në këtë kohë mjerimi, Zoti vendos ta shpërblejë popullin argjentinas dhe mbarë botën me një dhuratë të pazakontë. Kjo dhuratë ishte Diego. Njeriu i cili do ta shtyjë tërë botën të mendojë dhe të dojë Argjentinën.
Gjeniu më i madh që është parë ndonjëherë në fushën e blertë. Dhe krejt si në përrallën time, shumë lojtarë vrapojnë pas tij, por askush nuk e arrin. Të gjithë duan të jenë si ai, por kot. Ai ishte i një dimensioni tjetër.
Maradona ishte njeriu që e bëri futbollin poezi, vargjet e secilës i pëlqenin të gjithë. E bëri pikturë, ku sytë e tjerëve pushonin duke e shikuar. E bëri dramë të cilën të gjithë prisnin në radhë për ta shikuar.
Ëndrra e madhe e tij ishte që të luante përkrah Kempesit në Botërorin e 1978-s, që mbahej në Argjentinë. Selektori Menotti, magjepset nga lojërat e Diegos, por prapë mbetet skeptik. Nuk mund t’i besohej një 17-vjeçari në një garë drejt së cilës i gjithë populli argjentinas kishte hedhur sytë.
Shansi i parë i madh Diegos i jepet në Botërorin 1982. Edhe pse përfundimi i Argjentinës dhe i Diegos ishte i trishtueshëm. Megjithatë, Diego ra në sy të gjithë klubeve të mëdha. Siguroj kontrata marramendëse. Por “Djali i Artë” historinë nuk e kishte bërë akoma.
Pushtetin e përhershëm në futbollin botëror, Diego e vendos në Botërorin e 1986-s. Ai ishte kapiten dhe lider i padiskutueshëm i Kombëtares. Në rrugën drejt titullit të dytë botëror Argjentina duhej të takohej me Anglinë. Kjo çerekfinale në fakt mbetet ndeshja më intriguese në histori të futbollit. Luhej pikërisht në kohën kur Argjentina e Britania ende ishin në konflikt për ishujt Falkland.
Pas një pjese të parë të tensionuar dhe pa gola, vijnë edhe 10 minutat që kanë ndryshuar historinë e futbollit. Diego shënon gol me dorë dhe kalon Argjentinën në avantazh. Frustrimi i anglezëve ishte i papërshkrueshëm, derisa gjyqtari kishte bërë një gabim fatal.
“Dora e Zotit” në fakt është edhe sot temë diskutimesh. Por nuk përfundon këtu, katër minuta më vonë Diego “mendon” që është duke luajtur me juniorë, “harron” se kundërshtarë ka yje të futbollit botëror, merr topin, i kalon të gjithë, përfshirë edhe Glenn Hoddlin, Peter Reid-in, Kenny Sansom-in dhe shënon.
Ky gol zyrtarisht është goli më i bukur në histori të futbollit. Më pas Argjentina, pas një finale spektakolare me Gjermaninë, shpallet kampione bote. Dhe njerëzit filluan prapë të flisnin për Argjentinën. Dhe kur themi Argjentina, mendojmë Maradona. Argjentina e Maradonës. Dhe një ditë Maradona e la futbollin. Por legjenda e djalit që kalon gjithë lojtarët kundërshtarë dhe portierin, mbetet e gjallë përgjithmonë!
(Autori është i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës)


