Ditë e pestë e grevës, Sindikata e KRU Hidrodrinit paralajmëron vazhdim deri në adresimin e kërkesave
Punëtorët e KRU “Hidrodrini” po vazhdojnë grevën paralajmëruese, e cila sot hyri në ditën e pestë, si pjesë e ushtrimit të së drejtës për grevë në përputhje me ligjin.
Në një njoftim për media, Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” theksoi: "Greva gëzon përkrahje të gjerë nga punëtorët, por rrugët e dialogut dhe negociatave mbeten të hapura për adresimin e kërkesave të punëtorëve, në kuadër të kompetencave të palëve përgjegjëse".
Greva zhvillohet çdo ditë nga ora 09:00 deri në 10:00 dhe do të vazhdojë deri në ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e kërkesave ose deri në një njoftim tjetër zyrtar nga Këshilli i Grevës.
Në njoftim bëhet e ditur se greva po zhvillohet në qytete të ndryshme, përfshirë Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, ndërsa Shoqata Sindikale ka publikuar edhe fotografi nga aktiviteti.
Këshilli i Grevës njofton se qëllimi i grevës është të sigurojë respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe adresimin e kërkesave të tyre në mënyrë ligjore dhe transparente. /Telegrafi/


