Dilemat e opozitës: Të braktiset, apo jo, Kuvendi?
Gjysma e opozitës tashmë ka braktisur Kuvendin me qëllimin për t’u koncentruar ekskluzivisht në rrugë, në mësymjen për ta rrëzuar Qeverinë. Gjysma tjetër akoma e konsideron të nevojshëm edhe presionin brenda institucioneve.
Megjithëkëtë, e gjithë opozita ka shprehur zotimin të premten për t’i mbajtur të bashkuara forcat dhe për të ndërmarrë veprime të përbashkëta, deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Një ditë më parë, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), foli në emër të të gjithë opozitës për vendimin për bojkot. Të njëjtën ditë, edhe lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, është deklaruar për nevojën që të braktiset Kuvendi, shkruan Koha Ditore.
.
Numri i deputetëve të këtyre dy subjekteve opozitare është 15, një më pak se numri i atyre të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), subjekt politik ky që ende nuk e ka dhënë fjalën e fundit për këtë çështje.
Ky subjekt opozitar, që ka hisen kryesore në aktivitetet penguese të punës së Legjislativit, do që të zhvillojë aksione kundërshtimi kudo që i jepet mundësia. Dhe Kuvendi nuk përbën përjashtim.
Jo vetëm opozita ka dilema përkitazi me nevojën për bojkotimin e punës së Legjislativit. Edhe në shoqërinë civile nuk flasin me një zë, kur vlerësojnë nëse është veprim i qëlluar ky.


