Please enter at least 3 characters.

Dhurata Dora konfirmohet si një nga artistet në “Sunny Hill Festival 2026”, rikthehet në skenën e festivalit pas dy vitesh

Këngëtarja e njohur shqiptare, Dhurata Dora, është konfirmuar zyrtarisht si një nga emrat që do të performojë në edicionin e sivjetmë të “Sunny Hill Festival 2026”.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë organizatorët e festivalit përmes rrjeteve sociale, ku kanë publikuar posterin zyrtar të artistes dhe kanë ndarë një mesazh të veçantë për fansat.

“Çdo vit ne nderojmë një nga talentet tona më të suksesshme vendore duke i besuar një nga pozicionet kryesore në skenën e Sunny Hill Festival. Këtë vit dhurata jonë për ju është Dhurata Dora, e cila do të ngjitet në skenë më 31 korrik. A e dini se emri Dhurata do të thotë ‘gift’ në anglisht?”, shkruhet në njoftimin e festivalit.

Për Dhurata Dorën, kjo do të jetë hera e tretë që performon në “Sunny Hill Festival”, pasi artistja ishte pjesë e festivalit edhe në vitin 2024 dhe në vitin 2022, ku elektrizoi publikun me hitet e saj më të njohura.

Këngëtarja vazhdon të mbetet një nga emrat më të suksesshëm të muzikës shqiptare, me projekte që numërojnë qindra miliona klikime dhe me një bazë të madhe fansash në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.

Dhurata Dora dhe Dua Lipa në estivalin "Sunny Hill 2022" (Foto: Instagram)

“Sunny Hill Festival 2026” do të mbahet në Prishtinë më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht, ndërsa organizatorët tashmë kanë konfirmuar një sërë emrash të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë që do të performojnë para mijëra adhuruesve të muzikës.

Me rikthimin e Dhurata Dorës në skenën e festivalit, publiku pritet të shijojë një tjetër performancë energjike nga artistja, e cila njihet për hitet e saj të shumta dhe prezencën e fuqishme skenike. /Telegrafi/