Please enter at least 3 characters.

Dhjetë personazhet letrare që japin këshilla të mira

Xhejn Er takon Helen Bërnsin, e cila vepron si një udhërrëfyese morale dhe shpirtërore për heroinën e librit me të njëjtin emër

Ilustrim: Grafikë nga vepra“Jane Eyre” (Charlotte Brontë, 1847)/Culture Club/Getty Images

Nga udhëzimet morale dhe shpirtërore deri te këshillat për stilin dhe romancën, mos harroni të dëgjoni mentorët letrarë në jetën tuaj.

Nga: Claire Allfree / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Të gjithë e dimë se romanet më të mira nuk japin këshilla të drejtpërdrejta, por na zbulojnë në një mënyrë fine ndërlikimet e hareshme dhe tragjike të të qenit gjallë. Kjo nuk do të thotë se në letërsi nuk ka personazhe imagjinare, këshillat e të cilëve ia vlen të dëgjohen, si dhe shumë të tjerë “urtësia” e dyshimtë e të cilëve - ndonëse do t’ju këshillonim t’i qëndronit sa më larg tyre - mbetet gjithsesi një argëtim letrar që të trazon.

Ndonjëherë një këshillë përdoret thjesht si mjet narrativ - si këshilla e Lejdi Raselit drejtuar En Eliotit që të mos martohet me kapitenin Uentuorth në Bindja, një ndërhyrje fatkeqe mbi të cilën mbështetet i gjithë romani. Në raste të tjera, ajo buron nga ligësia e pashpjegueshme, si manipulimi dashakeq i Jagos në Otello.

Më poshtë kemi renditur 10 personazhet tanë të preferuar që japin sugjerime, këshillat e të cilëve ose janë një aspekt intriguese i karakterit të tyre, ose kanë vlerë morale, ose shërbejnë si një ide narrative që i jep dritë rrëfimit.

***

Mentori/Atena
Odiseja e Homerit, rreth viteve 750-650 p.e.s.

Duhet ta falënderojmë Homerin që na dha mentorin si një arketip letrar: Mentori është miku të cilin Odiseu e udhëzon të kujdeset për shtëpinë e tij dhe për djalin e tij, Telemakun, ndërkohë që ai mungon duke luftuar në Luftën e Trojës. Megjithatë, në mënyrë ironike, Mentori tregohet i padobishëm në këtë detyrë, duke lejuar që shtëpia e Odiseut të bjerë në rrënim dhe të pushtohet nga pretendentët e gruas së tij, Penelopës.

Në vend të kësaj, është Athena ajo që, duke marrë trajtën e Mentorit në çaste vendimtare të poemës, e ndihmon më së shumti Telemakun duke e nxitur të riun e druajtur dhe të pasigurt të jetë i guximshëm dhe i durueshëm në gjetjen e të atit dhe rikthimin e tij në vendin që i takon në shtëpi. Pamjet janë mashtruese përgjatë gjithë epikës mjeshtërore të Homerit, përfshirë edhe vetë fytyrën e urtësisë.

***

Ema Udhauz
Ema nga Jane Austen, 1815

Këshillat rrallëherë janë aq të gabuara sa ato që jep Ema Udhauz, donkishote dhe dritëshkurtër e Austenit, e cila merr përsipër rolin e mblesërueses për shoqen e saj të druajtur dhe më pak të pasur, Heriet Smith, në komedinë romantike të Austenit - me rezultate katastrofike, siç mund të parashikohej.

Pothuajse të gjitha këshillat që ajo i jep Herietës, me shpresën për t’i larguar ndjenjat e shoqes së saj nga modesti Robert Martin drejt më të pasurit dhe ashiqare të papërshtatshmit z. Elton, burojnë nga një keqkuptim i shoqërisë së Regjencës, i klasës shoqërore dhe i vetë Herietës. I takon z. Najtli, i cili radhitet ndër mentorët më të mençur në letërsi, t'ia përplasë në sy Emës se ndërhyrjet e saj janë thjesht një punë e mbrapshtë. Duke vepruar kështu, ai tregon se ndershmëria është shpesh politika më e zgjuar. “Duhet të të them të vërtetën sa kohë që mundem, duke e dëshmuar veten si mikun tënd përmes këshillës më besnike,” thotë ai, “duke besuar se një ditë do t’i bësh besimit tim, te ti, më shumë drejtësi sesa po i bën tani.”

***

Helen Bërns
Xhejn Er nga Charlotte Brontë, 1847

“Jeta më duket tepër e shkurtër për t’u shpenzuar duke ushqyer armiqësi ose duke mbajtur shënime për gabimet,” e këshillon Helen Bërnsi që po vdes, Xhejnin e re - tërësisht të pakënaqur dhe rebele - në kapitujt hapës të romanit më të njohur të Charlotte Brontës. Botëkuptimi paqësor i Helenës i ofron Xhejnit një udhëzim si moral ashtu edhe shpirtëror, ndërsa heroina jetime dhe kryeneçe e Brontës përpiqet të gjejë rrugën e saj drejt moshës së rritur.

E, megjithatë, Xhejni gjithashtu lufton për të pajtuar ndjeshmërinë nënshtruese të Helenës, me instinktin e saj për të shkelmuar konformizmin si një fat seksual dhe politik i gruas. Helena e mirë e palëkundur banon në një pjesë të Xhejnit, ndërsa Berta Mejsoni - “bashkëshortja e çmendur“ e Riçardsonit, të cilën ai e ka burgosur në tavan - banon në pjesën tjetër. Gjenialiteti i romanit qëndron në mënyrën se si i mban në ekuilibër këto kundërthënie femërore.

***

Zonjusha Brodi
Zonjusha Xhin Brodi në kulmin e saj nga Muriel Spark, 1961

Shumë shpesh këshilla thotë më shumë për personin që e jep sesa për atë që është menduar t'i adresohet. Zonjusha Xhin Brodi, e cila padyshim ndodhet në kulmin e saj si një mësuese krejtësisht jashtë kornizave në shkollën e vajzave “Marsia Blejn“ në Edinburgun e viteve ’30 të shekullit XX, është e vendosur të këshillojë “grupin Brodi“ - jo për çështje të programit mësimor, por për “piktorët e Rilindjes italiane; avantazhet që ka për lëkurën kremi pastrues dhe hamamelisi kundrejt ujit dhe sapunit të thjeshtë; dekorin e brendshëm të shtëpisë në Londër të autorit të Uini-Pusë, si dhe rregullat fillestare të astrologjisë.” Oh, dhe gjithashtu, për përsosmërinë organizative të fashizmit.

Mjerisht, mantra e famshme e zonjushës Brodi - “Më jepni një vajzë në moshën e formimit dhe ajo do të jetë imja për jetë“ - dëshmohet sa e rreme, por, duke theksuar nevojën për të udhëzuar dhe kontrolluar, flet shumë për instinktet autoritare të kësaj narcisisteje të vetmuar.

***

Vemja
Liza në botën e çudirave nga Lewis Carroll, 1865

Nuk kemi asnjë dyshim për qëllimin e kësaj krijese të vogël që pi nargjile në kryeveprën marramendëse të Lewis Carrollit: kapitulli i pestë titullohet Këshilla nga vemja. Dhe, udhëzimi i parë që insekti i jep Lizës, për të “përmbajtur veten” - i dhënë nga maja e një kërpudhe dhe në mënyrë mjaft ironike po të mendohet natyra e tij gjaknxehtë - është një këshillë nga e cila do të përfitonim të gjithë

Çka është edhe më e rëndësishme, duke i treguar Lizës se si mund ta rregullojë gjatësinë e saj duke ngrënë nga anë të ndryshme të kërpudhës, ai i dhuron asaj një mjet të sapozbuluar për vetënjohje dhe kontroll - diçka me vlerë të jashtëzakonshme brenda asaj bote të përmbysur në të cilën ajo ka përfunduar.

***

Xhivsi
Tregimet e Xhivsit dhe Usterit nga P. G. Wodehouse, 1915-1974

Ah, sikur secili prej nesh të kishte një Xhivs në jetën e vet. Shërbëtori i patrazuar fiton për herë të parë zemrën e Usterit - ose më saktë, ia fiton atë kokë të shkatërruar nga alkooli - duke i sugjeruar me një zë qetësues “një përgatitje të vogël, shpikje e imja,” vetëm pak minuta pas takimit të tyre të parë. Që nga ai çast, ai është gjithmonë pranë për të zgjidhur çdo telash, të vogël a të madh, që i prish rehatinë jetës përndryshe të praruar të Usterit dhe të shokëve të tij - qofshin këto ngatërresa romantike, humbje financiare apo pakënaqësia e hallës së tij të tmerrshme, Agatës.

Zgjidhjet praktike gjeniale janë pika e tij e fortë, por ai ofron gjithashtu këshilla të pazëvendësueshme për çështje të qimeve të fytyrës dhe rrobave të papërshtatshme. Një nga shprehjet e tij më të zakonshme është: “Nëse do të më lejohej një sugjerim, zotëri ...,” duke dëshmuar se mënyra se si jepet një këshillë është shpesh ajo që e bën atë të efektshme.

***

Filding Gudni
Paraja nga Martin Amis, 1984

Vetëdija rabelaisiane e Xhon Selfit dominon aq shumë në satirën e ndezur si me lëndë djegëse të Martin Amisit, mbi vulgaritetin e viteve ’30 të shekullit XX, saqë është e lehtë të harrohet roli i luajtur nga Filding Gudni - producenti që miqësohet në aeroplan me Selfin e tmerrshëm, të mbytur në pije, seks e ushqim të shpejtë, dhe e shtyn atë t'i hedhë paratë e veta në atë që rezulton të jetë një projekt i rremë filmik.

Sa për këshilltarët, Fildingu është mashtruesi i përkryer, duke mbjellë mashtrim dashakeq thjesht për kënaqësinë sadiste që i jep kjo, ndërsa njëkohësisht e mundon Selfin fizikisht dhe në aspektin psikologjik përmes një sërë ndërhyrjesh të maskuara dhe telefonatash tallëse anonime. Gudni e kupton se Selfi është një pjesëmarrës i vullnetshëm në shkatërrimin e vet dhe se e ashtuquajtura këshillë e tij thjesht u jep hov impulseve më të këqija të Selfit.

***

Hanibal Lekteri
Heshtja e qengjave nga Thomas Harris, 1988

Duhet thënë se psikopati i Thomas Harrisit nuk është ideja që secili prej nesh ka për një këshilltar hallesh. E, megjithatë, ky përbindësh, më kompleks se çdo tjetër në mënyrën e tij djallëzore, gëzon besimin e agjentes së FBI-së, Klaris Starling, duke e udhëzuar se si të zërë vrasësin serial Bufalo Bill përpara se ai të vrasë një viktimë tjetër - ndërsa njëkohësisht krijon një lojë amorale maceje me miun, të mbështetur mbi joshjen psikologjike dhe manipulimin e ndërsjellë. A jep Lekteri këshilla në kuptimin e zakonshëm të fjalës? Jo, sepse asgjë te Lekteri nuk përputhet me modelet e njohura të sjelljes. Por, ai është pa dyshim një këshilltar për Starlingun, dhe ajo i dëgjon këshillat e tij duke vënë kokën në rrezik.

***

Samuel Hamiltoni dhe Li
Në Lindje të Edenit nga John Steinbeck, 1952

Konceptet e zgjedhjes dhe faljes janë qendrore në alegorinë e jashtëzakonshme biblike të John Steinbeckut - një ritregim i lirë i historisë së Kainit dhe Abelit, i bazuar pjesërisht në familjen e gjyshit nga nëna të vetë Steinbeckut, Samuel Hamiltonit. Si Hamiltoni, një njeri që di t’ia dalë në çdo punë, ashtu edhe Li, një shërbëtor kinezo-amerikan që punon për fqinjin e Hamiltonit, Adam Traskun, janë burime urtësie për familjen Trask, ndërsa anëtarët e saj përballen, në forma të ndryshme, me braktisjen, dëshpërimin dhe krizat financiare.

Janë Li dhe Hamiltoni ata që shpjegojnë filozofinë që qëndron pas fjalës hebraike timshel, që do të thotë “ti mundesh,” ose vullneti i lirë i njerëzve për të zgjedhur midis së mirës dhe së keqes. Dhe, ky koncept luan një rol vendimtar në nxitjen e Adamit, në shtratin e vdekjes, që të pajtohet me të birin e larguar, Kalin: “Mund të jetë fjala më e rëndësishme në botë. Ajo thotë se rruga është e hapur.”

***

Z. Mikober
David Koperfildi nga Charles Dickens, 1849-1850

Nuk ishte e pazakontë, na tregon Davidi i ri, që pronari i tij dashamirës, z. Mikober, “të kthehej në shtëpi për darkë me një lumë lotësh dhe me deklaratën se nuk kishte mbetur asgjë tjetër veç burgut, e pastaj të shkonte për të fjetur duke llogaritur shpenzimet për vendosjen e dritareve të dala në fasadën e shtëpisë, ‘në rast se ndodhte ndonjë gjë’.”

Instinkti i pashtershëm i Mikoberit për ta luftuar fatkeqësinë me optimizëm, edhe kur borxhet e çojnë në burgun e debitorëve, sigurisht që përmban një mësim jete për të gjithë ne. Është e vërtetë që Mikoberi është disi llafazan dhe jo gjithmonë njeriu më i arsyeshëm, por ai refuzon ta shohë veten si viktimë. Për më tepër, këshillat e tij japin fryt: ai përfundon si një magjistrat i suksesshëm në Australi. Brezi i ri mund ta quante këtë një shembull të manifestimit pozitiv. /Telegrafi/